Hebrenjve 1

Nëpërmjet Birit

Në të shkuarën, Perëndia u ka folur etërve tanë shpeshherë dhe në mënyra të ndryshme nëpërmjet profetëve, ndërsa këto kohët e fundit na foli nëpërmjet Birit. Nëpërmjet tij Perëndia ka krijuar gjithësinë dhe atë e ka caktuar trashëgimtar të gjithçkaje. Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, shprehja e plotë e qenies së tij dhe ai që mban gjithçka me fuqinë e fjalës së tij.

Pasi na pastroi nga mëkatet, ai u ul në qiell në të djathtë të Perëndisë së madhërishëm. Ai u bë më i madh se engjëjt, aq sa ç’ishte më madhështor emri që trashëgoi nga Perëndia.

Biri më lart se engjëjt

Dhe vërtet, Perëndia nuk i ka thënë kurrë ndonjë engjëlli:

ti je Biri im,

të kam lindur sot.

As nuk ka thënë për ndonjërin:

unë do të jem për të Atë

e ai do të jetë për mua Bir.

Kur Perëndia do të dërgonte në botë Birin e tij të parëlindur, tha:

le ta adhurojnë

të gjithë engjëjt e Perëndisë.

Ndërsa për engjëjt tha:

Perëndia i bën engjëjt e tij

si era

dhe shërbyesit e tij

si flaka e zjarrit.

Për Birin ka thënë:

froni yt, o Perëndi,

mbetet në shekuj të shekujve

dhe skeptri i drejtësisë

është skeptri i mbretërisë sate.

E ke dashur drejtësinë

dhe e ke urryer paudhësinë.

Prandaj, Perëndia yt, o Perëndi,

të vajosi mes shokëve të tu,

me vajin e gëzimit.

10 Ka thënë edhe:

ti, o Zot,

në fillim e themelove tokën

dhe vepër e duarve të tua

janë qiejt.

11 Ata do të zhduken,

ndërsa ti do të mbetesh.

Të gjithë do të vjetrohen si rrobë.

12 Do t’i mbështjellësh si petk

e do t’i ndërrosh si rrobë,

ndërsa ti do të mbetesh po ai

dhe vitet e tua nuk do të perëndojnë.

13 Perëndia nuk i tha kurrë ndonjë engjëlli:

ulu në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu

si shtrojë të këmbëve të tua.

14 A nuk janë, pra, të gjithë engjëjt shpirtra shërbestarë që Perëndia i ka dërguar për t’u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?