Hagai 1

Rindërtimi i tempullit

Në ditën e parë të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar, fjala e Zotit iu drejtua, me anë të profetit Haga Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës dhe kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ky popull thotë se s’ka ardhur ende koha për të ndërtuar shtëpinë e Zotit». Fjala e Zotit erdhi me anë të profetit Haga:

«Paska ardhur koha që ju të banoni në shtëpi të mbuluara!

Ndërkohë kjo shtëpi mbetet e rrënuar!

Ndaj, kështu thotë Zoti i ushtrive:

shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë!

Mbillni shumë, por korrni pak,

hani, por nuk ngiheni,

pini, por nuk ngopeni,

visheni, por askush s’ka ngrohtë

dhe mëditësit i shkon paga

në qese të shpuar.

Kështu thotë Zoti i ushtrive:

shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë!

Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtoni shtëpinë,

që të kënaqem e të përlëvdohem, thotë Zoti.

Deshët shumë, por ja që morët pak

e kur e sollët në shtëpi, ua prisha.

Përse? Kumton Zoti i ushtrive.

Sepse shtëpia ime është e rrënuar,

ndërkohë secili ngutet për shtëpinë e vet.

10 Ndaj, qielli vesë nuk dha,

as toka frytin e vet.

11 Thirra thatësirën përmbi tokë e male,

përmbi drithë, verë e vaj,

përmbi çdo fryt që del prej dheut,

përmbi njerëz, kafshë e çdo mundi duarsh».

12 Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe kryeprifti Jozueh, biri i Jehocadakut, bashkë me tërë tepricën e popullit e dëgjuan zërin e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Haga, që e kishte dërguar Zoti, Perëndia i tyre. Populli e pati frikë Zotin.

13 Atëherë Hagai, lajmëtari i Zotit, i dha popullit lajmin e Zotit: «Unë jam me ju, kumton Zoti». 14 Zoti e nxiti shpirtin e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës, shpirtin e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut dhe shpirtin e tërë tepricës së popullit. Ata erdhën e filluan punën për shtëpinë e Zotit të ushtrive, Perëndisë së tyre, 15 në ditën e njëzet të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar.