Gjyqtarët 9

Mbretërimi i Abimelekut

Abimeleku, biri i Jerubaalit, shkoi në Shekem te vëllezërit e nënës së tij, foli me ta dhe me gjithë familjet e klanit të atit të tij e u tha: «Bisedoni me të gjithë fisnikët e Shekemit e i pyesni: “Ç’është më mirë për ju? T’ju sundojnë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit apo t’ju sundojë vetëm njëri?”. Mos harroni se unë jam mishi e gjaku juaj». Vëllezërit e nënës së tij ua thanë këto fjalë të gjithë fisnikëve të Shekemit dhe Abimeleku u hyri në zemër, sepse thoshin: «Është vëllai ynë». Ata i dhanë Abimelekut shtatëdhjetë monedha argjendi nga tempulli i Baal Beritit e ai pagoi me to disa njerëz të ulët e të pafytyrë që i shkuan pas. Pastaj shkoi në shtëpinë e të atit në Ofrah dhe vrau vëllezërit e vet, shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit, mbi të njëjtin gur. Shpëtoi vetëm Jotami, djali i vogël i Jerubaalit, sepse u fsheh. Fisnikët e Shekemit dhe të gjithë banorët e Bet Milosë u mblodhën te lisi i shtyllës së Shekemit dhe e shpallën Abimelekun mbret.

Gjëegjëza e Jotamit

Kur e njoftuan Jotamin për këtë, ai shkoi e u ngjit në majë të malit të Gerizimit, ngriti zërin e tha: «Më dëgjoni ju, o zotërit e Shekemit, që Perëndia t’ju dëgjojë:

u nisën dikur pemët

një mbret për të vajosur

e i thanë ullirit:

“Bëhu mbreti ynë”.

Ulliri iu përgjigj:

“Të heq dorë nga vaji,

që zotër e njerëz nderon,

e mbi pemë të valëvitem?”.

10 I thanë pemët fikut:

“Bëhu ti mbreti ynë”.

11 E fiku u tha atyre:

“Të lë ëmbëlsinë,

prodhimin tim të këndshëm,

e mbi pemë të valëvitem?”.

12 I thanë pemët hardhisë:

“Bëhu ti mbreti ynë”.

13 E hardhia u tha:

“Të lë verën,

që zotër e njerëz gëzon,

e mbi pemë të valëvitem?”.

14 Tërë pemët i thanë ferrës:

“Eja ti e bëhu mbreti ynë”.

15 E ferra u tha pemëve:

“Nëse vërtet më bëni mbretin tuaj,

ejani e zini strehë nën hijen time.

Në mos, zjarri daltë prej ferrës

e përpiftë cedrat e Libanit!”».

16 Jotami u tha: «Mos vallë vepruat drejt e me ndershmëri kur shpallët mbret Abimelekun? A u sollët mirë me Jerubaalin dhe shtëpinë e tij? A ia shpërblyet të mirat që ju bëri? 17 Ati im luftoi për ju dhe e vuri jetën e tij në rrezik, që t’ju shpëtonte nga zgjedha e midianitëve. 18 Sot ju ngritët krye kundër shtëpisë së atit tim, vratë të gjithë bijtë e tij, shtatëdhjetë burra mbi një gur të vetëm dhe shpallët për mbret Abimelekun, të birin e shemrës, ngaqë është vëllai juaj. 19 Nëse sot keni vepruar drejt e me ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, e gëzofshi Abimelekun dhe ai ju gëzoftë juve! 20 Por nëse nuk është ashtu, zjarri daltë nga Abimeleku e i djegtë të gjithë fisnikët e Shekemit dhe të Bet Milosë! Zjarri daltë edhe nga fisnikët e Shekemit dhe të Bet Milosë dhe e djegtë Abimelekun!». 21 Pastaj Jotami mori arratinë, shkoi me nxitim në Beer e banoi aty, për shkak të Abimelekut, vëllait të tij.

Shekemi kundër Abimelekut

22 Abimeleku sundoi mbi Izraelin për tre vjet. 23 Perëndia dërgoi një shpirt të lig ndasie midis Abimelekut dhe fisnikëve të Shekemit dhe fisnikët e Shekemit e tradhtuan Abimelekun. 24 Kështu, dhuna e ushtruar ndaj shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit dhe gjaku i tyre do të binte mbi Abimelekun, vëllanë e tyre, që i vrau, dhe mbi fisnikët e Shekemit, që e ndihmuan t’i vriste. 25 Fisnikët e Shekemit ngritën prita nëpër majat e maleve për të plaçkitur të gjithë ata që kalonin atyre udhëve. Këtë e mori vesh edhe Abimeleku.

26 Gaali, biri i Ebedit, erdhi në Shekem e u vendos aty bashkë me vëllezërit. Fisnikët e Shekemit patën besim tek ai. 27 Ata dolën nëpër ara, volën rrushin nga vreshtat e tyre, e shtrydhën dhe bënë festë. Pastaj shkuan në shtëpinë e perëndive të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun. 28 Gaali, biri i Ebedit, tha: «Çfarë na qenka Abimeleku për Shekemin, që t’i shërbejmë atij? A nuk është ai biri i Jerubaalit? A nuk është Zebuli mëkëmbës i tij? Më mirë t’u shërbejmë burrave të Hamorit, atit të Shekemit. E përse u dashka t’i shërbejmë atij njeriu? 29 Po të kishte besim tek unë ky popull, do ta kisha hequr qafe Abimelekun e do t’i thosha: “Mblidh sa më shumë ushtri e dil për luftë!”».

30 Zebuli, qeveritari i qyteti, i dëgjoi fjalët e Gaalit, birit të Ebedit, dhe u ndez nga zemërimi. 31 I dërgoi lajmëtarë Abimelekut në Tormah që t’i thoshin: «Gaali, biri i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Shekem dhe po nxisin qytetin kundër teje. 32 Prandaj, ngrihu qëmenatë bashkë me luftëtarët që ke me vete e zër pritë në fushë. 33 Në mëngjes, kur të lindë dielli, sulmoje qytetit dhe kur Gaali me burrat e tij të dalin për sulm, bëj çfarë të mundesh kundër tij».

34 Abimeleku dhe të gjithë burrat që ishin me të u ngritën natën dhe zunë pritë pranë Shekemit, të ndarë në katër grupe. 35 Kur Gaali, biri i Ebedit, doli e qëndroi te porta e qytetit, Abimeleku dhe burrat që ishin me të dolën nga prita. 36 Gaali i pa e i tha Zebulit: «Shiko, disa njerëz po zbresin nga majat e maleve». Zebuli i tha: «Është hija e maleve dhe të duket sikur janë njerëz». 37 Por Gaali tha përsëri: «Shiko! Janë njerëz ata që po zbresin nga lartësia në mes të vendit dhe një grup tjetër po zbret udhës së Lisit të Shortarëve». 38 Zebuli i tha: «Ku i ke tani fjalët e mëdha që thoshe: “Kush qenka Abimeleku që t’i shërbejmë atij?”. Ky është populli që ti përçmove. Dil, pra, tani e lufto kundër tij». 39 Atëherë Gaali doli në krye të fisnikëve të Shekemit dhe luftoi kundër Abimelekut. 40 Por Abimeleku e theu Gaalin, i cili mori arratinë para tij. Shumë u plagosën për vdekje derisa arritën te portat e qytetit. 41 Abimeleku u vendos në Arumah, ndërsa Zebuli e dëboi Gaalin me gjithë vëllezërit e tij dhe nuk i la të banonin më në Shekem.

42 Të nesërmen populli i Shekemit doli nëpër ara dhe për këtë njoftuan Abimelekun. 43 Ai mori luftëtarët e vet, i ndau në tre grupe e i vuri të zënë pusi në arë. Kur pa popullin që po dilte nga qyteti, i sulmoi dhe i vrau. 44 Abimeleku me grupin e vet të luftëtarëve u hodhën në sulm dhe rrethuan portat e qytetit. Dy grupet e tjerë sulmuan të gjithë ata që ishin nëpër ara e i vranë. 45 Abimeleku e sulmoi qytetin gjatë gjithë ditës, e pushtoi dhe i vrau banorët e tij. Pastaj e rrafshoi dhe i hodhi kripë.

46 Fisnikët e Kullës së Shekemit e morën vesh dhe shkuan në qilarin e tempullit të El Beritit. 47 Kur e njoftuan Abimelekun se të gjithë fisnikët e Kullës së Shekemit ishin mbledhur aty, 48 ai u ngjit në malin Calmon me gjithë luftëtarët e tij dhe preu një degë peme me sëpatë. E mori degën dhe e vuri mbi shpatulla. Pastaj u tha edhe burrave që ishin me të: «Shpejt, bëni siç bëra unë». 49 Të gjithë luftëtarët prenë nga një degë dhe shkuan pas Abimelekut. I hodhën degët mbi qilar dhe i vunë flakën. Të gjithë banorët e Kullës së Shekemit vdiqën nga flakët. Ishin rreth një mijë burra e gra.

50 Mandej Abimeleku shkoi në Tebec, e rrethoi dhe e pushtoi. 51 Në mes të qytetit gjendej një kullë e fortifikuar. Të gjithë burrat e gratë dhe të gjithë fisnikët e qytetit shkuan të strehoheshin atje. E mbyllën derën nga pas e u ngjitën në tarracën e kullës. 52 Abimeleku shkoi te kulla dhe e sulmoi. Pastaj iu afrua hyrjes së kullës për t’i vënë flakën, 53 por një grua i hodhi një gur mokre Abimelekut në kokë dhe i çau kafkën. 54 Abimeleku thirri menjëherë djaloshin që i mbante armët e i tha: «Nxirr shpatën dhe vritmë, që të mos thonë: “E vrau një grua”». Djaloshi e shpoi tejpërtej e ai vdiq. 55 Kur izraelitët panë se Abimeleku kishte vdekur, u kthye secili në shtëpinë e vet. 56 Perëndia ia shpagoi Abimelekut të keqen që bëri kundër të atit, kur vrau shtatëdhjetë vëllezërit e vet. 57 Po ashtu, Perëndia ua shpagoi edhe banorëve të Shekemit ligësinë që kishin bërë dhe mbi ta ra mallkimi i Jotamit, birit të Jerubaalit.