Gjyqtarët 20

Lufta me fisin e Benjaminit

Të gjithë izraelitët u bashkuan si një trup i vetëm para Zotit në Micpah, të ardhur nga Dani e deri nga Bersheba, si edhe nga vendi i Gileadit. Krerët e mbarë popullit të fiseve të Izraelit u mblodhën në kuvendin e popullit të Perëndisë. Ishin mbledhur edhe katërqind mijë luftëtarë këmbësorie me shpata në dorë. Ndërkohë pasardhësit e Benjaminit morën vesh se izraelitët ishin mbledhur në Micpah. Atëherë izraelitët pyetën: «Na thoni, si ndodhi kjo poshtërsi?». Leviti, burri i gruas që u vra, u përgjigj: «Kisha shkuar në Gibeah të Benjaminit bashkë me shemrën për të kaluar natën. Atëherë banorët e Gibeahut u ngritën kundër meje dhe rrethuan natën shtëpinë ku po rrija. Ata donin të më vrisnin mua dhe shemrën time e përdhunuan derisa vdiq. Pastaj unë e mora shemrën, e ndava në copa dhe i nisa nëpër të gjitha trojet e Izraelit, sepse ata bënë kob e poshtërsi në Izrael. Tani, pra, të gjithë ju, o izraelitë të mbledhur këtu, kuvendoni dhe vendosni».

Mbarë populli u ngrit njëzëri në këmbë e tha: «Asnjëri nga ne nuk do të kthehet në tendën e vet e askush nuk do të niset për në shtëpi. Ja si do të veprojmë me Gibeahun: do të hedhim short 10 e do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë vetë në njëqind, njëqind në një mijë dhe një mijë në dhjetë mijë. Këta do t’u sjellin ushqime luftëtarëve që do të shkojnë të sulmojnë Gebën e Benjaminit për të gjitha poshtërsitë që bënë në Izrael». 11 Të gjithë burrat e Izraelit, të mbledhur si një trup i vetëm, iu vërsulën qytetit të Gibeahut.

12 Fiset e Izraelit u dërguan lajmëtarë të gjithë pasardhësve të fisit të Benjaminit për t’u thënë: «Ç’është kjo ligësi që u krye ndër ju? 13 Na i dorëzoni, pra, ata burra të poshtër nga Gibeahu, që t’i vrasim e ta zhbijmë të keqen nga Izraeli». Por pasardhësit e Benjaminit nuk deshën t’i dëgjonin vëllezërit e tyre izraelitë. 14 Atëherë pasardhësit e Benjaminit u mblodhën nga të gjitha qytetet në Gibeah për të luftuar kundër izraelitëve. 15 Pasardhësit e Benjaminit numëronin atë ditë njëzet e gjashtë mijë luftëtarë që përdornin shpatën, të ardhur nga qytetet e tjera, pa numëruar shtatë mijë burrat e përzgjedhur mes banorëve të Gibeahut. 16 Mes këtyre luftëtarëve, ishin shtatëqind burra të zgjedhur, që përdornin dorën e majtë në vend të së djathtës. Ata ishin të aftë të qëllonin fijen e flokut me hobe, pa gabuar shenjën. 17 Të gjithë luftëtarët e Izraelit që përdornin shpatën, pa numëruar ata të Benjaminit, ishin katërqind mijë burra.

18 Izraelitët shkuan në Betel, u këshilluan me Perëndinë e thanë: «Kush do të hidhet i pari në sulm kundër pasardhësve të Benjaminit?». Zoti tha: «I pari do të sulmojë fisi i Judës».

19 Izraelitët u ngritën në mëngjes dhe fushuan afër Gibeahut. 20 Pastaj u bënë gati për të sulmuar pasardhësit e Benjaminit e u vunë në rresht luftimi përballë qytetit. 21 Pasardhësit e Benjaminit u hodhën në sulm nga Gibeahu dhe atë ditë shtrinë përtokë njëzet e dy mijë izraelitë të vdekur. 22 Izraelitët i mblodhën sërish forcat dhe u rreshtuan edhe një herë për të luftuar në të njëjtin vend, ku ishin rreshtuar ditën e parë. 23 Ata kishin shkuar e kishin qarë para Zotit deri në mbrëmje dhe e kishin pyetur në duhej t’i sulmonin sërish pasardhësit e Benjaminit. Zoti u kishte thënë: «Hidhuni në sulm!».

24 Izraelitët i sulmuan pasardhësit e Benjaminit edhe ditën e dytë. 25 Luftëtarët e Benjaminit dolën nga Gibeahu dhe ditën e dytë shtrinë të vdekur përtokë tetëmbëdhjetë mijë burra izraelitë, të gjithë të aftë për të përdorur shpatën. 26 Izraelitët shkuan përsëri në Betel. Atje vajtuan dhe u ulën në prani të Zotit. Atë ditë agjëruan deri në mbrëmje dhe i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe paqtimi. 27 Izraelitët u këshilluan sërish me Zotin. Në atë kohë arka e Besëlidhjes së Perëndisë ndodhej aty. 28 Gjatë atyre ditëve para saj shërbente Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të Aronit. Izraelitët pyetën Zotin nëse duhej të hidheshin sërish në sulm kundër pasardhësve të Benjaminit, vëllezërve të tyre, apo ta ndalnin sulmin. Zoti u tha: «Sulmojini nesër, sepse ua kam dorëzuar».

29 Atëherë izraelitët ngritën prita përreth Gibeahut. 30 U përgatitën për të sulmuar pasardhësit e Benjaminit dhe u rreshtuan përballë Gibeahut si herët e tjera. 31 Pasardhësit e Benjaminit u hodhën në sulm dhe izraelitët i tërhoqën larg nga qyteti. Ashtu si herët e tjera, pasardhësit e Benjaminit vrisnin e plagosnin izraelitë gjatë udhës për në Betel dhe për në arat e Gibeahut. Vranë rreth tridhjetë izraelitë. 32 Pasardhësit e Benjaminit menduan se izraelitët po mposhteshin si më parë, por izraelitët morën arratinë për t’i tërhequr kundërshtarët nëpër fusha, sa më larg qytetit. 33 Atëherë të gjithë izraelitët lëvizën nga vendet e tyre të luftimit dhe u rreshtuan për sulm në Baal Tamar. Edhe izraelitët e tjerë dolën nga pritat në fushat e Gebës. 34 Dhjetë mijë izraelitë të zgjedhur u vërsulën kundër Gibeahut. Beteja u bë shumë e ashpër dhe pasardhësit e Benjaminit nuk e kishin kuptuar ende fatkeqësinë që po u afrohej.

35 Zoti e mposhti Benjaminin në prani të Izraelit dhe atë ditë izraelitët vranë njëzet e pesë mijë e njëqind luftëtarë të aftë për të përdorur shpatën.

36 Pasardhësit e Benjaminit panë se po mposhteshin. Izraelitët i lanë të iknin, sepse kishin besim te prita, që kishin ngritur para Gibeahut. 37 Ata që kishin zënë pritë sulmuan menjëherë Gileadin, e pushtuan dhe vranë me shpatë të gjithë banorët e tij. 38 Izraelitët kishin caktuar si shenjë me ata që kishin zënë pritë, ngritjen e një shtëllunge të madhe tymi nga qyteti. 39 Kur izraelitët ishin tërhequr gjatë betejës, pasardhësit e Benjaminit ishin hedhur në sulm dhe kishin vrarë tridhjetë vetë, duke kujtuar se izraelitët po mposhteshin si herën e parë. 40 Por, në atë çast, nga qyteti u ngrit një shtëllungë e madhe tymi. Pasardhësit e Benjaminit u kthyen dhe panë se qytetit ishte pushtuar nga flakët. 41 Atëherë izraelitët u kthyen dhe pasardhësit e Benjaminit u tmerruan, se e kuptuan fatkeqësinë që po u afrohej. 42 U kthyen për t’u tërhequr nga izraelitët, duke marrë udhën drejt shkretëtirës, por izraelitët i sulmuan edhe aty. Pastaj i sulmuan edhe ata që dogjën qytetin. 43 Izraelitët i rrethuan pasardhësit e Benjaminit, i ndoqën pa pushim dhe i mposhtën jashtë Gibeahut, në lindje. 44 Tetëmbëdhjetë mijë burra të fisit të Benjaminit, të gjithë luftëtarë trima, mbetën të vrarë. 45 Të tjerët morën arratinë drejt shkretëtirës, për te shkëmbi i Rimonit. Pesë mijë prej tyre u vranë gjatë udhës. Izraelitët i ndoqën deri në Gidom dhe vranë edhe dy mijë burra të tjerë. 46 Atë ditë u vranë njëzet e pesë mijë burra nga fisi i Benjaminit, të gjithë të aftë për të përdorur shpatën, të gjithë luftëtarë trima. 47 Gjashtëqind burra u tërhoqën e morën arratinë drejt shkretëtirës, për te shkëmbi i Rimonit, ku qëndruan për katër muaj. 48 Pastaj izraelitët u kthyen dhe sulmuan pasardhësit e mbetur të Benjaminit. Në çdo qytet ata kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët, bagëtitë e gjithçka që gjenin. Të gjitha qyteteve që gjetën para, ata u vunë flakën.