Gjyqtarët 19

Leviti dhe shemra e tij

Në atë kohë, kur nuk kishte ende mbret në Izrael, jetonte në një vend të largët në malësinë e Efraimit një levit. Ai kishte marrë një shemër nga Betlehemi i Judës. Por ajo e la dhe u largua prej tij e u kthye në shtëpinë e të atit në Betlehem të Judës, ku qëndroi katër muaj. Burri i saj mori me vete një shërbëtor e dy gomarë e shkoi tek ajo për ta bindur që të kthehej. Ajo e futi në shtëpi dhe i ati i saj u gëzua shumë kur pa djaloshin. I vjehrri, i ati i vashës, e detyroi djaloshin të qëndronte tri ditë në shtëpinë e tij. Ata hëngrën, pinë dhe bujtën aty. Ditën e katërt u ngritën herët në mëngjes dhe leviti po bëhej gati të nisej, por i ati i vashës i tha dhëndrit: «Ha një kafshatë bukë, që të marrësh fuqi, e pastaj nisu». U ulën të dy dhe hëngrën e pinë. Atëherë i ati i vashës i tha dhëndrit: «Të lutem, rri edhe sonte, që të të kënaqet zemra». Djaloshi donte të nisej, por i vjehrri ia mbushi mendjen të rrinte e të kalonte natën aty. Ditën e pestë, djaloshi u ngrit herët për t’u nisur, por i ati i vashës i tha: «Ha që të marrësh fuqi e rri derisa të ngryset». U ulën të dy për të ngrënë. Atëherë djaloshi u ngrit për t’u nisur bashkë me shemrën e me shërbëtorin, por vjehrri i tha përsëri: «Shiko, dita po mbaron e po bie nata. Rrini këtu sonte, kaloni natën, që t’ju kënaqet zemra dhe nesër në mëngjes herët nisuni për të shkuar në shtëpi».

10 Por dhëndri nuk donte ta kalonte natën atje, prandaj u nis për udhë dhe mbërriti kundruall Jebusit, domethënë Jerusalemit. Me vete kishte dy gomarë të ngarkuar dhe shemrën e tij. 11 Kur po kalonin pranë Jebusit, po binte muzgu. Atëherë shërbëtori i tha të zotit: «Eja të shkojmë në qytetin e jebusitëve, të lutem, dhe ta kalojmë natën aty». 12 Por zotëria i tha: «Jo, nuk do të kthehemi në një qytet të huaj, ku banorët nuk janë izraelitë. Do të vazhdojmë deri në Gibeah». 13 E pastaj i tha shërbëtorit: «Të shkojmë sa më afër njërit prej këtyre vendeve, që ta kalojmë natën në Gibeah ose në Ramah». 14 Kështu, e kaluan Jebusin dhe vazhduan udhën. Perëndimi i diellit i zuri pranë Gibeahut, që i përkiste fisit të Benjaminit. 15 Kthyen në Gibeah për të kaluar natën dhe shkuan e u ulën në sheshin e qytetit, por askush nuk ua hapi dyert e shtëpisë.

16 Aty nga mbrëmja po kthehej nga ara një plak. Plaku ishte i ardhur në Gibeah. Kishte ardhur nga malësia e Efraimit, ndërsa vendasit ishin pasardhës të fisit të Benjaminit. 17 Plaku ngriti sytë dhe pa kalimtarin ulur në sheshin e qytetit dhe e pyeti: «Ku po shkoni e nga vini?». 18 Ai iu përgjigj: «Po udhëtojmë nga Betlehemi për në vendin më të largët të malësisë së Efraimit, nga edhe vij. Isha në Betlehem të Judës e tani po kthehem në shtëpinë e Zotit, por askush nuk na i ka hapur dyert e shtëpisë. 19 Kemi me vete kashtë e tagji për gomarët tanë, si edhe bukë e verë për veten time, për shërbëtoren tënde dhe për djaloshin, që shoqëron shërbëtorin tënd. Nuk na mungon asgjë». 20 Plaku u tha: «Paqja qoftë me ty! Do të kujdesem unë për çdo nevojë që ke, veç mos e kalo natën në sheshin e qytetit». 21 Atëherë, i futi në shtëpi e u dha ushqim gomarëve. Pastaj lanë këmbët dhe hëngrën e pinë.

22 Teksa ata po kënaqeshin, mbërritën disa burra të atij qyteti, njerëz të poshtër, rrethuan shtëpinë e plakut dhe filluan t’i bien derës me dhunë. Pastaj i thirrën të zotit të shtëpisë e i thanë: «Nxirre jashtë atë burrin që ke futur në shtëpi, që ta përdhunojmë». 23 I zoti i shtëpisë doli jashtë e u tha: «Vëllezërit e mi, ju lutem mos bëni ligësi. Ky njeri ka bujtur tek unë si mik. Mos e bëni këtë poshtërsi. 24 Ja, vajza ime është e virgjër dhe ky njeri ka shemrën me vete. Po ju nxjerr ato. Poshtërojini e bëni ç’të doni me to, por mos ia bëni këtë poshtërsi këtij njeriu». 25 Ata nuk deshën ta dëgjonin. Atëherë leviti mori shemrën e vet dhe ua nxori jashtë. Ata e përdhunuan dhe e shfrytëzuan gjithë natën deri në mëngjes. E lanë të ikte kur po agonte. 26 Gruaja u kthye në agim dhe ra te pragu i shtëpisë, ku kishte bujtur zotëria i saj, e mbeti aty deri në agim.

27 Në mëngjes, kur i shoqi u ngrit dhe hapi dyert e shtëpisë për të vazhduar rrugën, pa para derës shemrën e tij, që dergjej me duart te pragu. 28 Atëherë ai i tha: «Ngrihu të ikim». Por ajo nuk përgjigjej më. Ai e ngarkoi mbi gomar dhe u kthye në shtëpi. 29 Kur mbërriti në shtëpi, mori një thikë, e ndau shemrën në dymbëdhjetë copa dhe ua dërgoi të gjithë fiseve të Izraelit. 30 Të gjithë ata që e panë këtë gjë, thanë: «Një gjë e tillë nuk ka ndodhur e nuk është parë kurrë në Izrael, që nga dita kur izraelitët dolën nga Egjipti e deri më sot. Mendohuni mirë, kuvendoni e vendosni».