Gjyqtarët 18

Mikahu dhe fisit i Danit

Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael dhe fisi i Danit ishte në kërkim të një prone për të banuar, sepse nuk i ishte caktuar ende asnjë trashëgimi mes fiseve të tjera të Izraelit. Pasardhësit e Danit dërguan nga Corahu dhe Eshtaoli pesë burra të fortë nga fisi e klanet e tyre për të përgjuar vendin e për ta vëzhguar me kujdes. U kishin thënë të shkonin e ta shihnin mirë vendin. Kështu, ata mbërritën në malësinë e Efraimit, në shtëpinë e Mikahut, ku kaluan natën. Kur po kalonin afër shtëpisë së Mikahut, njohën të folurën e djaloshit levit. Prandaj u kthyen aty dhe e pyetën: «Kush të ka sjellë këtu? Çfarë bën në këtë vend? Çfarë pune ke këtu?». Ai u tha: «Mikahu më ka bërë këtë e atë. Ai më paguan e unë i shërbej si prift». Atëherë ata i thanë: «Pyete Perëndinë nëse do të na shkojë mbarë udhëtimi që kemi nisur». Prifti iu përgjigj: «Shkoni në paqe! Udhëtimi që keni nisur ka pëlqimin e Zotit».

Pesë burrat u nisën dhe mbërritën në Laish. Atje panë se njerëzit jetonin të qetë, sipas dokeve të sidonasve. Jetonin në paqe e pa frikë dhe askush nuk i shtypte e nuk i sundonte. Ishin larg Sidonit dhe nuk kishin lidhje me askënd. Të dërguarit u kthyen te vëllezërit e tyre në Corah dhe Eshtaol e ata i pyetën: «Si mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Ngrihuni të hidhemi në sulm. Kemi parë një vend shumë të mirë. Mos ngurroni e mos u vononi! Shkoni e pushtojeni. 10 Kur të mbërrini atje, do të gjeni një popull të qetë dhe një vend të madh. Perëndia na e ka dorëzuar atë vend. Aty nuk mungon asnjë nga të mirat e tokës».

11 Kështu, nga Corahu dhe Eshtaoli u nisën gjashtëqind burra të armatosur nga fisi i Danit. 12 Ata shkuan e fushuan në Kirjat Jearim të Judës. Prandaj ai vend, mbrapa Kirjat Jearimit, quhet «Fushimi i Danit» edhe sot e kësaj dite. 13 Prej andej ata shkuan në malësinë e Efraimit dhe mbërritën në shtëpinë e Mikahut.

14 Pesë burrat, që kishin shkuar për të përgjuar vendin e Laishit, u thanë vëllezërve të tyre: «A e dini se në këtë shtëpi ka një efod, disa idhuj shtëpie, një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një idhull metali? Ju e dini se ç’duhet të bëni». 15 Atëherë ata kthyen te shtëpia e Mikahut, hynë për të takuar djaloshin levit dhe e përshëndetën. 16 Gjashtëqind burrat e armatosur nga fisi i Danit qëndruan te hyrja e shtëpisë. 17 Pesë burrat, që kishin shkuar për të përgjuar vendin, hynë në shtëpi, morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, idhujt e shtëpisë dhe idhullin prej metali, ndërsa prifti qëndronte te hyrja e shtëpisë me gjashtëqind burrat e armatosur. 18 Kur burrat hynë në shtëpinë e Mikahut për të marrë shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, idhujt e shtëpisë dhe idhullin prej metali, prifti u tha: «Çfarë po bëni?». 19 Ata i thanë: «Hesht dhe mbylle gojën. Eja me ne e bëhu ati e prifti ynë. Ç’është më mirë për ty, të jesh prift i shtëpisë së një njeriu të vetëm apo prifti i një fisi e i një klani të Izraelit?». 20 Prifti u gëzua shumë, prandaj mori efodin, idhujt e shtëpisë, shëmbëlltyrën e gdhendur dhe shkoi me ta.

21 U nisën sërish për udhë dhe vunë para fëmijët, bagëtitë dhe gjërat e çmuara. 22 Kur ishin larguar nga shtëpia e Mikahut, burrat e shtëpive aty pranë u mblodhën, i ndoqën pasardhësit e Danit 23 dhe i thirrën nga pas. Ata u kthyen e i thanë Mikahut: «Çfarë ke që i ke mbledhur njerëzit?». 24 Ai u tha: «Ju më morët perënditë që i gdhenda vetë, si dhe priftin. Nuk më ka mbetur asgjë e ju më thoni “çfarë ke?”». 25 Pasardhësit e Danit iu përgjigjën: «Mos të ta dëgjojmë më zërin, se po u mërzitën disa nga ne, mund të hidhen në sulm e të të vrasin ty dhe njerëzit e shtëpisë sate». 26 Ata vazhduan udhën, ndërsa Mikahu, kur pa se ishin më të fortë, u kthye në shtëpi.

Qyteti i Danit

27 Si i morën me vete idhujt, që kishte bërë Mikahu, bashkë me priftin e tij, shkuan e sulmuan Laishin, një popull të qetë e paqësor. Banorët i vranë me shpatë, ndërsa qytetit i vunë flakën. 28 Askush nuk i erdhi në ndihmë Laishit, sepse ishte larg Sidonit dhe banorët e tij nuk kishin lidhje më askënd. Qyteti ndodhet në luginën e Bet Rehobit. Pasardhësit e Danit e rindërtuan, banuan në të 29 dhe i vunë emrin e Danit, atit të fisit të tyre, që ishte bir i Izraelit. Qyteti më parë quhej Laish. 30 Pasardhësit e Danit e lartuan shëmbëlltyrën e gdhendur, ndërsa Jonatani, biri i Gershomit, të birit të Manaseutd, dhe bijtë i tij shërbyen si priftërinj për fisin e Danit, derisa vendi ra në robëri. 31 Kështu, ata lartuan shëmbëlltyrën e gdhendur të Mikahut, për sa kohë shtëpia e Perëndisë ishte në Shiloh.


 d18.30 të tjerë: Moisiut