Gjyqtarët 13

Lindja e Samsonit

Izraelitët bënë sërish çka është keq në sytë e Zotit dhe Zoti i dorëzoi te filistinët për dyzet vjet.

Në atë kohë, në Corah jetonte një njeri nga fisi i Danit që quhej Manoah. Gruaja e tij ishte beronjë e nuk kishte fëmijë. Engjëlli i Zotit iu shfaq gruas së tij e i tha: «Edhe pse je beronjë e nuk lind dot fëmijë, do të mbesësh shtatzënë e do të lindësh djalë. Veçse kujdes, mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë. Mbi kokën e tij nuk do të kalojë brisku, sepse ai do t’i kushtohet Perëndisë si nazireas që në bark të nënës. Ai do ta nisë shpëtimin e Izraelit prej zgjedhës së filistinëve». Gruaja shkoi e i tha të shoqit: «Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë dhe kishte pamjen e një engjëlli Perëndie, vërtet të frikshme. Nuk e pyeta nga vinte e nuk më tregoi si quhej, por më tha: “Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë, prandaj mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse djali do t’i kushtohet Perëndisë, derisa të vdesë”».

Atëherë Manoahu iu lut Zotit e i tha: «Të lutem, o Zoti im, dërgoje sërish njeriun e Perëndisë, që dërgove më parë, të na mësojë çfarë të bëjmë me djalin që do të lindë». Perëndia e dëgjoi lutjen e Manoahut dhe engjëlli i Perëndisë shkoi përsëri te gruaja që po rrinte ulur në arë, por burri i saj Manoahu nuk ishte me të. 10 Atëherë gruaja shkoi me nxitim për t’i treguar të shoqit e i tha: «M’u shfaq përsëri ai njeriu që pati ardhur tek unë para disa ditësh». 11 Manoahu u ngrit e shkoi pas gruas së tij. Kur mbërriti tek ai njeri, e pyeti: «Ti je njeriu që ke folur me këtë grua?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». 12 Manoahu i tha: «Kur të përmbushet fjala jote, çfarë rregullash duhet të mbajmë për djaloshin dhe si duhet të veprojmë me të?». 13 Engjëlli i Zotit i tha Manoahut: «Gruaja jote duhet të ruhet nga gjithçka që i thashë. 14 Të mos hajë asnjë prodhim të hardhisë, të mos pijë verë e pije dehëse dhe të mos hajë asgjë të papastër. Të mbajë gjithçka që i urdhërova».

15 Manoahu i tha engjëllit të Zotit: «Të lutemi rri të të përgatitim një kec». 16 Engjëlli i Zotit i tha Manoahut: «Edhe sikur të më mbash, nuk kam për të ngrënë nga buka jote, por, nëse dëshiron të kushtosh një fli shkrumbimi, kushtoja Zotit». Manoahu nuk e dinte që ai ishte engjëlli i Zotit17 Atëherë Manoahu i tha engjëllit të Zotit: «Si e ke emrin, që të mund të të nderojmë pasi të jetë përmbushur fjala jote?». 18 Engjëlli i Zotit i tha: «Përse më pyet për emrin? Është emër i mrekullueshëm».

19 Manoahu mori një kec bashkë me flinë e drithit dhe ia kushtoi Zotit mbi gurë. Atëherë një mrekulli ndodhi para syve të Manoahut dhe gruas së tij. 20 Teksa flaka po ngjitej prej altarit në qiell, engjëlli i Zotit u ngjit bashkë me flakën e altarit. Kur e panë këtë, Manoahu me gruan e tij ranë me fytyrë përtokë. 21 Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më Manoahut dhe gruas së tij. Manoahu e kuptoi se ai kishte qenë engjëlli i Zotit 22 e i tha së shoqes: «Kemi për të vdekur, se pamë Perëndinë». 23 E shoqja i tha: «Nëse Zoti do të donte që të vdisnim, nuk do ta kishte pranuar flinë tonë të shkrumbimit bashkë me flinë tonë të drithit, nuk do të na i tregonte të gjitha këto gjëra e nuk do të na fliste për to».

24 Gruaja lindi djalë dhe e quajti Samson. Djali u rrit dhe Zoti e bekoi. 25 Shpirti i Zotit e nxiti Samsonin të veprojë kur ai ndodhej në fushat e Danit, mes Corahut dhe Eshtaolit.