Gjoni 2

Dasma në Kanë

Pas dy ditëshb u bë një dasmë në Kanë të Galilesë. Atje ndodhej edhe e ëma e Jezuit. Në dasmë ishte i ftuar edhe Jezui me dishepujt e tij.

Kur mbaroi vera, e ëma i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë». Jezui iu përgjigj: «Çfarë do nga unë, o grua? Koha ime nuk ka ardhur ende!». Atëherë, e ëma e Jezuit u tha shërbëtorëve: «Bëni gjithçka që do t’ju thotë!».

Atje ndodheshin gjashtë qypa prej guri që përdoreshin për ritin e pastrimit të judenjve. Secili prej tyre mbante tetëdhjetë deri në njëqind e njëzet litra. Atëherë, Jezui u tha shërbëtorëve: «Mbushini qypat me ujë!». Ata i mbushën deri në grykë. Pastaj u tha: «Tani, mbushni nga qypat e çojani të parit të dasmës!». Dhe ata ia çuan. I pari i dasmës nuk e dinte nga vinte vera, por shërbëtorët, që e kishin nxjerrë nga qypat, e dinin. Ai, pasi e provoi ujin e bërë verë, thirri dhëndrin 10 e i tha: «Të gjithë nxjerrin për të pirë në fillim verën më të mirë dhe, pasi të jenë dehur dasmorët, sjellin të keqen, ndërsa ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani!».

11 Kjo qe shenja e parë që bëri Jezui në Kanë të Galilesë. Ai shfaqi kështu lavdinë e tij dhe dishepujt besuan tek ai. 12 Pastaj ai shkoi në Kafarnaum bashkë me të ëmën, vëllezërit e dishepujt e tij dhe qëndruan atje për pak ditë.

Pastrimi i tempullit

(Mt 21.12-13; Mk 11.15-17; Lk 19.45-46)

13 Meqenëse po afrohej Pashka e judenjve, Jezui shkoi në Jerusalem. 14 Në tempull ai gjeti tregtarët e qeve, të deleve e të pëllumbave, si dhe këmbyesit e parave që rrinin ulur. 15 Pasi bëri një fshikull me litarë, i dëboi të gjithë prej tempullit bashkë me delet e qetë, ua derdhi të hollat këmbyesve të parave e pastaj përmbysi tryezat e tyre. 16 Ndërsa tregtarëve të pëllumbave u tha: «Hiqini këto gjëra që këtej e mos e bëni vend tregtie shtëpinë e Atit tim!».

17 Dishepujve të tij iu kujtua se ishte shkruar: zelli për shtëpinë tënde më përpiu.

18 Atëherë ndërhynë disa judenj dhe e pyetën: «Me çfarë shenje na bind se mund t’i bësh këto gjëra?». 19 Jezui iu përgjigj: «Shkatërrojeni këtë tempull e për tri ditë unë do ta ringre». 20 Atëherë judenjtë i thanë: «U deshën dyzet e gjashtë vjet për ta ndërtuar këtë tempull e ti do ta ringresh për tri ditë?». 21 Por ai po fliste për tempullin e trupit të tij. 22 Kur u ngjall prej të vdekurve, dishepujve të tij iu kujtuan këto fjalë dhe i besuan Shkrimit e fjalëve që kishte thënë Jezui.

Jezui i njeh njerëzit

23 Gjatë qëndrimit të Jezuit në Jerusalem për festën e Pashkës shumë veta i besuan atij pasi panë shenjat që bënte. 24 Por vetë Jezui nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë. 25 Ai nuk kishte nevojë t’i tregonin asgjë për njerëzit, pasi e dinte ç’kishte përbrenda njeriut.


 b2.1 ose: Ditën e tretë