Gjoni 12

Lyerja me mirrë

(Mt 26.6-13; Mk 14.3-9)

Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve. Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin. Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë, e ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës. Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha: «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë e t’u jepeshin të varfërve?». Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave e merrte prej saj çfarë hidhej në të. Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim! Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».

Kërkojnë të vrasin Lazarin

Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje e shkuan jo vetëm për të, por edhe të shikonin Lazarin që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve. 10 Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin, 11 sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij e besonin në Jezuin.

Hyrja në Jerusalem

(Mt 21.1-11; Mk 11.1-11; Lk 19.28-40)

12 Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem, 13 mori degë palmash e i doli para duke thirrur:

«Hosana!

Bekuar qoftë

ai që vjen në emër të Zotit,

mbreti i Izraelit!».

14 Jezui gjeti një kërriç e hipi në të, siç është shkruar:

15 Mos ki frikë,

o bijë e Sionit!

Ja, mbreti yt po vjen

hipur mbi një kërriç!

16 Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, por kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, siç ishin shkruar.

17 Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të. 18 Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar për këtë shenjë që kishte bërë. 19 Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç’bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!».

Disa helenë kërkojnë Jezuin

20 Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. 21 Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». 22 Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. 23 Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! 24 Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. 25 Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. 26 Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë».

Për kryqëzimin

27 «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë.

28 O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj». 29 Turma që rrinte e dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll». 30 Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, por për ju. 31 Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote! 32 Kur unë të lartësohem nga toka, do t’i tërheq të gjithë pranë vetes». 33 Këtë e tha për të treguar me ç’vdekje do të vdiste.

34 Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?». 35 Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon. 36 Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës».

Mosbesimi i judenjve

Pasi tha këto, Jezui iku e u fsheh prej tyre. 37 Megjithëse kishte bërë kaq shenja para syve të tyre, ata nuk besonin në të, 38 që të përmbushej fjala e profetit Isai që ka thënë:

Zot, kush i besoi lajmit tonë?

Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?

39 Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe:

40 i verboi sytë e tyre

dhe i ngurtësoi zemrat e tyre,

që të mos shohin me sy,

apo të kuptojnë me zemër

që të mos kthehen tek unë

për t’i shëruar.

41 Këto tha Isaia, sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të. 42 Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat. 43 Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë.

Kush na gjykon?

44 Jezui tha me zë të lartë: «Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi. 45 Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi. 46 Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë. 47 Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, por për ta shpëtuar atë. 48 Atë që më hedh poshtë mua e nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit. 49 Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç’të them e ç’të flas. 50 Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m’i tha Ati».