Gjoni 10

Bariu i mirë

«Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli.

Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. 10 Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë.

11 Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. 12 Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, 13 sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet.

14 Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15 ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. 16 Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t’i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari.

17 Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».

19 Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. 20 Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». 21 Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».

Judenjtë nuk e pranojnë Jezuin

22 Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. 23 Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. 24 Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». 25 Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, 26 por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. 27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. 28 Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. 29 Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. 30 Unë dhe Ati jemi një».

31 Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë. 32 Jezui u tha: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?». 33 Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, por për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi». 34 Jezui u tha: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj: unë thashë: jeni perëndi. 35 Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi nuk mund të hidhet poshtë. 36 Atëherë, si mund t’i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë “fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë “jam Biri i Perëndisë”? 37 Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, 38 por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni e të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin».

39 Përsëri donin ta kapnin, por Jezui u iku nga duart. 40 Ai shkoi sërish në bregun tjetër të Jordanit, në vendin ku më parë pagëzonte Gjoni dhe qëndroi atje. 41 Shumë njerëz shkuan tek ai e thoshin: «Gjoni nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka tha për të është e vërtetë». 42 Dhe atje besuan në të shumë njerëz.