Galatasve 5

Liria e krishterë

Krishti na çliroi që të jemi të lirë, prandaj qëndroni fort e mos bini sërish nën zgjedhën e skllavërisë.

Ja, unë Pali po ju them se nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju vlejë aspak. Kujtdo që rrethpritet, po ia bëj të ditur se është i detyruar të zbatojë tërë ligjin. Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë. Sepse në Shpirtin, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë. Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë.

Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës? Ato që ju kanë thënë për t’ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri. Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi. 10 Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin.

11 Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më pengesë. 12 U gjymtofshin ata që po ju trazojnë.

13 Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të mishit, por t’i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri. 14 Sepse i gjithë ligji është përmbledhur në këtë urdhër të vetëm: duaje të afërtin si veten. 15 Por nëse kafshoni e përpini njëri-tjetrin, ruajuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.

Fryti dhe veprat

16 Prandaj ju them: jetoni në Shpirt e kështu nuk do të plotësoni dëshirat e mishit. 17 Sepse dëshirat e mishit janë kundër Shpirtit e Shpirti është kundër dëshirave të mishit. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin e kështu ju nuk bëni atë që dëshironi. 18 Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit, nuk jeni nën ligjin.

19 Veprat e dëshirave të mishit janë të dukshme: dh kurvëria, ndyrësia, fëlligështia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet, 21 zilitëe, dehjet, darkat e shfrenuara e të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

22 Por fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, 23 zemërbutësia e vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. 24 Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar dobësinë njerëzore bashkë me pasionet dhe dëshirat. 25 Nëse jetojmë në Shpirt, atëherë edhe të udhëhiqemi prej tij. 26 Të mos krekosemi duke ngucur e duke lakmuar njëri-tjetrin.


 dh5.19 dorëshk. të tjera edhe: tradhtia bashkëshortore

 e5.21 dorëshk. të tjera: vrasjet