Galatasve 4

Dua të them se, për aq kohë sa trashëgimtari është i mitur, nuk dallon fare nga skllavi, ndonëse është pronari i gjithçkaje. Ai është nën kujdestarë e mbikëqyrës deri në kohën e caktuar nga i ati. Po ashtu edhe ne, kur ishim të mitur, kemi qenë skllevër të parimeve të botës. Por, kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e tij. Ai lindi nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit, për të shpenguar ata që ishin nën ligj e që ne të birësohemi. Duke qenë se jeni bij të tij, Perëndia dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, që thërret: «Abba, o Atë!». Prandaj, ti nuk je më skllav, por bir. Nëse je bir, je edhe trashëgimtar përmes Perëndisëd.

Shqetësimi i Palit

Dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, u shërbenit idhujve që prej natyre nuk janë perëndi. Tani që e keni njohur Perëndinë, ose më mirë të them, se Perëndia ju njohu ju, si ktheheni përsëri te këto parime të dobëta e mjerane për t’u shërbyer sërish atyre? 10 Ju mbani si të kremte disa ditë, muaj, stinë e vite. 11 Kam frikë se u mundova më kot për ju.

12 Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam bërë si ju. Ju nuk më keni bërë asnjë të keqe. 13 Ju e dini se herën e parë, që ju predikova ungjillin, lëngoja në trup. 14 Megjithëse lëngata ime në trup ishte sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu. 15 Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se, po të kishte qenë e mundur, ju do t’i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m’i dhënë mua. 16 Tani qenkam bërë armiku juaj pse po ju them të vërtetën?

17 Ata tregohen të zellshëm me ju, por jo për mirë, madje dëshirojnë t’ju shkëpusin, që pastaj ju të jeni të zellshëm me ta. 18 Është mirë që të jeni gjithmonë të zellshëm për të mirën e jo vetëm kur jam unë me ju. 19 Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si gruaja gjatë lindjes, derisa Krishti të marrë trajtë në ju. 20 Do të doja të isha pranë jush tani e të flisja ndryshe, se nuk di ç’të bëj më me ju.

Hagara dhe Sara

21 Më thoni ju, që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin? 22 Shkrimi thotë se Abrahami pati dy bij, një prej skllaves e një prej të lirës. 23 Biri i skllaves lindi prej mishit, ndërsa biri i së lirës përmes premtimit të Perëndisë.

24 Këto gjëra kanë tjetër kuptim. Dy gratë janë dy besëlidhje. Njëra, ajo prej malit Sinai që lind për skllavërim, është Hagara. 25 Hagara, domethënë mali i Sinait në Arabi, përkon me Jerusalemin e sotëm, që është në skllavëri bashkë me bijtë e vet. 26 Ndërsa gruaja e lirë përfaqëson Jerusalemin qiellor dhe është nëna jonë.

27 Shkrimi thotë:

ngazëllohu ti shterpë,

ti që nuk lind,

kërce e bërtit nga gëzimi

ti që s’pate dhimbjet e lindjes,

se bijtë e të braktisurës

do të jenë më të shumtë

se të asaj që ka burrë.

28 Ju, vëllezër, jeni bij të premtimit të Perëndisë, sikurse Isaku. 29 Edhe tani ndodh si atëherë, kur ai që lindi prej mishit, përndoqi atë që kishte lindur përmes Shpirtit. 30 Por çfarë thotë Shkrimi? Dëboje skllaven me të birin, pasi biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me birin e së lirës. 31 Kështu pra, vëllezër, ne nuk jemi bijtë e skllaves, por bijtë e së lirës.


 d4.7 dorëshk. të tjera: trashëgimtar i Perëndisë, përmes Krishtit