Galatasve 2

Pranimi i Palit

Pas katërmbëdhjetë vjetësh shkova sërish në Jerusalem me Barnabën e mora me vete edhe Titin. Shkova se kështu më tha Perëndia në një zbulesë dhe u shtjellova ungjillin që predikoj ndër kombet, veçanërisht njerëzve më të shquar, që të mos shkonte kot mundi që kam bërë e po bëj për juc.

Edhe Titi, që ishte me mua, megjithëse helen, nuk u detyrua të rrethpritej, pavarësisht vëllezërve të rremë e tinëzarë që kishin hyrë vjedhurazi për të përgjuar lirinë, që kemi përmes Krishtit Jezu, e për të na robëruar. Ne nuk iu nënshtruam këtyre as për një çast, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju.

Ata që e mbanin veten si më të rëndësishëm, e unë nuk dua t’ia di çfarë ishin, se Perëndia nuk gjykon sipas pamjes së jashtme, nuk i shtuan asgjë predikimit tim. Përkundrazi, ata e kishin parë se ungjilli për të parrethprerët m’u besua mua, sikurse Pjetrit iu besua ungjilli për të rrethprerët. Ai që e bëri Pjetrin apostull për të rrethprerët, më bëri edhe mua apostull për kombet.

Jakobi, Pjetri e Gjoni, që njiheshin si shtylla të besimit, duke e njohur hirin që më ishte dhënë, na shtrënguan dorën në shenjë miqësie mua dhe Barnabës, që ne të shkonim ndër kombet e ata ndër të rrethprerët. 10 Veçse na kërkuan të kujtoheshim për të varfrit e tyre, gjë që e kam bërë me këmbëngulje.

Pali qorton Pjetrin

11 Por, kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova më sy, sepse ishte për t’u qortuar. 12 Para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë nga kombet, ndërsa, kur erdhën ata, u tërhoq e u nda veçmas prej frikës nga besimtarët e rrethprerë. 13 Edhe judenjtë e tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u gënjye nga hipokrizia e tyre. 14 Kur pashë se ata nuk jetonin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit para të gjithëve: «Nëse ti, që je jude, sillesh si kombet e jo si jude, si mund t’i detyrosh besimtarët nga kombet të sillen si judenj?».

Shpëtimi përmes besimit

15 Ne vetë, që jemi lindur judenj dhe nuk jemi nga kombet mëkatare, 16 e dimë se njeriu nuk bëhet i drejtë nga veprat që kërkon ligji, por vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin. Prandaj edhe besuam në Krishtin Jezu, që të bëhemi të drejtë nga besimi në Krishtin e jo nga veprat që kërkon ligji, sepse askush nuk do të bëhet i drejtë nga veprat e ligjit.

17 Nëse ne, që kërkojmë të bëhemi të drejtë përmes Krishtit, del se jemi mëkatarë si të tjerët, mos vallë Krishti i shërben mëkatit? Larg qoftë! 18 Po të ndërtoja sërish këto gjëra, që i rrëzova, unë do të isha bërë vetë shkelës i ligjit. 19 Kështu, përmes ligjit jam i vdekur për ligjin, që të jetoj për Perëndinë. Jam kryqëzuar me Krishtin 20 e nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua. Këtë jetë, që tani jetoj në trup njerëzor, e jetoj me besim në Birin e Perëndisë, i cili më deshi e dha veten për mua. 21 Unë nuk e mohoj hirin e Perëndisë, sepse, në u bëka i drejtë njeriu përmes ligjit, atëherë Krishti paska vdekur më kot.


 c2.2 ose: se mos kam vrapuar e vrapoj më kot