Fjalët e urta 9

Ftesa e urtisë

Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet,

ia latoi shtatë shtyllat.

Theri theroret, përzjeu verën

e shtroi tryezën.

Dërgoi shërbëtoret e veta

dhe shpall nga majat e lartësive të qytezës:

«Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!».

Të pamendëve u thotë:

«Ejani, hani bukën time

e pini verën që kam përzier unë!

Hiqni dorë nga marrëzitë e do të jetoni.

Ecni udhës së arsyes!».

Kundër shpotitësve

Kush ndreq shpotitësin, turpërohet,

kush hahet me të prapin, lëndohet.

Mos e ndreq shpotitësin, që mos të të urrejë.

Ndreqe të urtin e ai do të të dojë.

Jepi këshilla të urtit

e do të jetë edhe më i urtë.

Mësoje të drejtin e do t’i shtohet mençuria.

10 Fillimi i urtisë është droja e Zotit;

njohja e të Shenjtit, kjo është mençuria.

11 Falë meje do të shtohen ditët e tua

e do të shumohen vitet e jetës sate.

12 Në do të jesh i urtë, do të jesh për vete,

Në do të jesh shpotitës, për vete do të jesh.

Përçartja e marrëzisë

13 Marrëzia është si një grua bujëmadhe,

si një e pamend që nuk di asgjë.

14 Rri ulur në derën e shtëpisë,

në fron, lart mbi qytezë

15 dhe u thërret kalimtarëve

që ecin udhës së tyre të drejtë:

16 «Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!».

Të pamendëve ajo u thotë:

17 «Uji i vjedhur është i ëmbël

e buka e marrë tinëz është e shijshme».

18 Ata s’e dinë se atje janë hijet

dhe të ftuarit e saj janë thellë në skëterrë.