Fjalët e urta 6

Mbi dorëzaninë

Biri im, nëse ke hyrë dorëzanë për mikun tënd,

nëse ke dhënë dorën për një të huaj,

fjalët e gojës sate të kanë zënë në grackë

e je i kapur për fjale.

Atëherë, biri im, ja si do të bësh për t’u çliruar,

pasi ke rënë në dorë të mikut tënd:

shko, përulu para tij e prishja qetësinë.

Mos vër gjumë në sy,

as mos u jep prehje qepallave të tua.

Çlirohu porsi sorkadhja nga laku,

si zogu nga dora e gjahtarit.

Përtaci dhe milingona

Shko, o përtac, e shih milingonën,

shiko si vepron ajo e bëhu i urtë.

Ajo nuk ka as epror,

as mbikëqyrës, as pronar,

por verës bën gati ushqimin e vet

e, kur vijnë të korrat, mbledh hajen e vet.

Deri kur, o përtac, do të rrish shtrirë?

Kur do të çohesh nga gjumi?

10 Pak gjumë e pak dremitje,

pak duarkryq për të pushuar,

11 e ashtu vjen skamja, si endacak,

e varfëria si një shqytar.

I marri

12 Njeriu i pavlerë e burri i prapë

endet gojëçartur,

13 picërron sytë, përplas këmbët

e flet me gishta.

14 Në zemër mbart ligësi,

sheston përherë të keqen

e mbjell ndasi.

15 Ndaj befas do e zërë e zeza,

papandehur do të bjerë pa gjetur shërim.

Shtatë neveritë

16 Gjashtë gjëra urren Zoti,

madje shtatë i neveriten:

17 sytë mburravecë, gjuha gënjeshtare,

duart që derdhin gjakun e pafaj,

18 zemra që sheston synime të liga,

këmbët që turren kah e keqja,

19 dëshmitari i rremë që pjell gënjeshtra

e kush mbjell ndasi ndër vëllezër.

Porositë atërore

20 Zbatoje, o biri im, urdhërimin e atit tënd,

e mos e shpërfill mësimin e nënës sate,

21 ngulite përgjithmonë në zemër

e vare rreth qafës,

22 se, kur ecën, të drejton,

kur pushon, të ruan

e kur zgjohesh, të flet.

23 Urdhërimi është llambë e udhëzimi dritë.

Parimet qortuese janë udha e jetës,

24 se të ruajnë nga gruaja e përdalë,

nga fjalët ëmbëlake të gruas së panjohur.

25 Mos të të epet zemra prej bukurisë së saj

e mos bjer pre e qepallave të saj,

26 se gruaja lavire lyp veç një copë bukë,

por gruaja e martuar të merr nderin e jetës.

27 Po burri, a e mban dot zjarrin në gji,

pa i djegur petkat?

28 A ecën njeriu mbi prush

pa iu përcëlluar këmbët?

29 As ai që i qaset gruas së huaj,

që e prek atë, nuk do t’i ikë ndëshkimit.

30 Vjedhësi nuk poshtërohet

po vodhi prej urisë,

për të mbajtur shpirtin gjallë,

31 por po u kap, do të kthejë shtatëfishin

e do të japë krejt pasurinë e shtëpisë.

32 Kush shkel kurorën, është i pamend,

kush bën kështu, shkatërron jetën e vet.

33 Marre e plagë do të mbledhë

e turpi i tij nuk do të shlyhet,

34 se xhelozia e burrit është e tërbuar,

ai s’do të ketë mëshirë në ditën e hakmarrjes.

35 Ai s’pajtohet me asnjë dëmshpërblim,

nuk pranon asnjë mitëmarrje.