Fjalët e urta 4

Porosi për të ndjekur urtinë

Dëgjoni, o bij, mësimin e atit,

kini mendjen, që të njihni zgjuarsinë,

se unë ju jap udhëzime të mira;

mos e shpërfillni ligjin tim.

Kur për tim atë isha fëmijë

e për time më i butë e i dashur,

ai më mësonte e më thoshte:

«Mblidhi fjalët e mia në zemrën tënde,

mbaj urdhërimet e mia e do të jetosh.

Rrok urtinë, kap zgjuarsinë,

mos harro fjalët e gojës sime e mos i shmang.

Mos e lër urtinë e ajo të ruan,

duaje e ajo të mbron.

Fillimi i urtisë: rrok urtinë!

Jep çka ke arritur e kap zgjuarsinë.

Vlerësoje e ajo të lartëson,

përqafoje e ajo të nderon.

Do të të vërë në kokë një rreth hijeshie,

me kurorë bukurie do të të stolisë».

10 Dëgjo, biri im, e nxëri fjalët e mia,

që të shumohen vitet e jetës sate.

11 Po të tregoj udhën e urtisë,

po të prij shtigjeve të drejtësisë.

12 Nuk do të të ngatërrohen hapat kur të ecësh

e, po të vraposh, nuk do të pengohesh.

13 Ndiq rregullin e mos e lër,

zbatoje, se është jeta jote.

14 Mos i hyr udhës së të paudhëve

e mos ec rrugës së të prapëve.

15 Shmange e mos kalo andej,

dredho e ik tutje,

16 se ata s’flenë pa bërë të keqen,

u ikën gjumi po s’dëmtuan kënd,

17 se ata hanë bukën e prapësisë

dhe pinë verën e dhunës.

18 Udha e të drejtëve është si drita e agimit

që shkon duke shndritur gjer në mesditë.

19 Por udha e të prapëve është si terri i natës,

ata s’e dinë ku venë e pengohen.

20 Biri im, ki mendjen te fjalët e mia,

merr vesh çfarë të kam thënë:

21 mos i hiq sysh,

por ruaji mu në zemër,

22 se janë jetë për kë i gjen

e shërim për tërë trupin e tij.

23 Ruaj zemrën tënde mbi gjithçka,

se jeta prej saj buron.

24 Mos u bëj gojëçartur

e as buzëprapë.

25 Sytë e tu të shohin përballë,

drejt përpara ta kesh shikimin.

26 Kujdesu për udhën ku vë këmbën

e do të jenë të sigurta shtigjet e tua.

27 Mos u luhat as djathtas, as majtas,

shmangu nga e keqja.