Fjalët e urta 3

Si fitohet urtia

Biri im, mos i harro udhëzimet e mia

e mbaj në zemër urdhërimet e mia,

se ditë të shumta, vite jete

e paqe do të të japin.

Mos të lëntë mirësia, as besnikëria,

ndaj vari rreth qafës

e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate,

se do të gjesh përkrahje e pëlqim

para Perëndisë e para njerëzve.

Beso në Zotin me gjithë zemër

e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde.

Mendo për të në të gjitha udhët e tua

e ai do të t’i drejtojë shtigjet.

Mos të të duket vetja i urtë,

por druaj Zotin e largohu nga e keqja.

Kjo do të jetë shërim për trupin tënd

e freskim për eshtrat e tua.

Ndero Zotin me tërë begatinë tënde,

me frytet e para të çdo të vjele,

10 se drithnikët e tu do të mbushen plot

e vozat e tua do të pëlcasin nga vera.

11 Biri im, mos e shpërfill mësimin e Zotit

e mos u bezdis nga qortimi i tij,

12 se Zoti e ndreq atë që e do,

porsi një atë birin e dashur.

Gëzimet e të urtit

13 Lum njeriu që e ka gjetur urtinë,

lum ai që ka kapur arsyen,

14 është më e vlefshme se argjendi,

më e dobishme se ari,

15 më e çmueshme se margaritarët,

e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.

16 Në të djathtë mban jetëgjatësinë,

në të majtë pasurinë e nderin.

17 Udhët e saj janë të këndshme,

tërë shtigjet e saj të paqme.

18 Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës;

lum ai që kapet pas saj.

19 Zoti e themeloi tokën me urti

e me mençuri i nguliti qiejt.

20 Me dijen e tij shpërthyen humnerat

e retë pikuan vesën.

21 Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra,

ruaj mençurinë e maturinë,

22 se do të jenë jetë për ty,

stoli rreth qafës sate.

23 Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate

e këmba jote nuk do të pengohet.

24 Kur të biesh në shtrat, s’do të trembesh,

do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël.

25 Mos ki frikë nga tmerri i beftë

a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë,

26 se Zotin pranë do ta kesh

e do të ta ruajë këmbën nga leqet.

27 Po të jetë në dorën tënde,

mos ia moho të mirën atij që i takon.

28 Po të kesh,

mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t’jap».

29 Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd

që me ty banon i qetë.

30 Mos u grind kot me asnjeri

nëse nuk të ka bërë keq.

31 Mos e lakmo njeriun e dhunshëm

e mos ndiq udhët e tij,

32 se Zoti ka neveri për dinakun,

por me të drejtin është i dashur.

33 Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i Zotit,

por ai bekon banesën e të drejtit.

34 Me tallësit ai tallet,

por të përulurit i përkrah.

35 Të urtët do të trashëgojnë nderin,

kurse të marrët turpin.