Fjalët e urta 25

Vijimi i fjalëve të Solomonit

Edhe këto që kanë mbledhur njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës, janë fjalët e urta të Solomonit.

Lavdia e Perëndisë është të veprojë në fshehtësi,

lavdia e mbretërve është të zbulojnë gjërat e fshehta.

Qielli i lartë, toka e thellë e zemra e mbretit,

janë të pashqyrtueshme.

Hiqja ndryshkun argjendit

e argjendari bën enën,

hiqja sysh mbretit të paudhin

e froni i tij do të mbështetet në drejtësi.

Mos u mburr para mbretit

e mos qëndro në vendin e të mëdhenjve,

se është më mirë të të thonë: «Ngjitu këtu!»,

sesa të të përulin në sytë e fisnikut

që e pe me sytë e tu.

Mos shko me ngut në gjykatë,

se çfarë do të bësh në fund,

kur të të turpërojë fqinji?

Çështjen tënde rrihe me fqinjin tënd,

por të fshehtën e tjetrit mos e zbulo,

10 se kush të dëgjon, të turpëron

e çfarë ke përfolur s’mund ta kthesh mbrapsht.

11 Si mollë e artë në enë argjendi

është fjala e thënë kur duhet.

12 Si vath i artë e si stoli ari të kulluar

është i urti që qorton veshin e dëgjueshëm.

13 Si freskia e dëborës në kohë të korrash

është lajmëtari besnik për atë që e dërgon.

14 Si retë dhe era, por pa shi,

është edhe kush mburret për dhuratat që s’i bën.

15 Princi mund të bindet me durim

e gjuha e butë i thyen kockat.

16 Nëse ke gjetur mjaltë, ha sa mjafton,

se po e teprove, do ta vjellësh.

17 Shkel rrallë në shtëpinë e fqinjit,

që të mos lodhet me ty e të të urrejë.

18 Çekan, shpatë e shigjetë e mprehtë

është ai që jep dëshmi të rreme kundër të afërtit.

19 Si dhëmb i prishur e këmbë e ndrydhur

është shpresa në të pabesin në ditë ngushtice.

20 Të këndosh para zemërvrarit

është si të zhvishesh në ditë të ftohtë,

si të hedhësh uthull mbi plagë.

21 Po të ketë uri armiku yt, jepi bukë të hajë,

po të ketë etje, jepi ujë të pijë,

22 se kështu grumbullon prush mbi kokën e tij

Zoti do të të shpërblejë.

23 Era e veriut sjell shiun,

gjuha murmuritëse fytyrën e ngrysur.

24 Më mirë të banosh në qoshen e pullazit,

se të ndash shtëpinë me gruan grindavece.

25 Si uji i freskët për një shpirt të etur

është lajmi i mirë nga dheu i largët.

26 Si gurrë e ndotur e si burim i turbullt

është edhe i drejti që luhatet para të paudhit.

27 Të hash tepër mjaltë e të kërkosh nderim pas nderimi,

nuk është mirë.

28 Si kështjellë e thyer e pa mure

është edhe njeriu që s’e sundon veten.