Fjalët e urta 24

Mos i ki zili njerëzit e mbrapshtë

e mos dëshiro të rrish me ta,

se mendja e tyre pjell dhunë

e buzët e tyre nxisin trazira.

Shtëpia ndërtohet me urti,

themelohet me mençuri.

Falë dijes, dhomat mbushen

me të mira të çmueshme e të këndshme.

Njeriu i urtë është i fortë,

njeriu i ditur është i fuqishëm.

Kur përgatitesh për luftë, mendohesh mirë

e fitorja vjen falë shumë këshillave.

Dija është tepër e lartë për të marrin,

ai s’e hap dot gojën te porta e qytetit.

Kush synon të keqen,

quhet tinëzar.

I marri ka synime mëkatare,

përqeshësi u neveritet të gjithëve.

10 Nëse ligështohesh në ngushticë,

paske pak fuqi.

11 Çliroi të dënuarit me vdekje,

ndaloi ata që zvargen drejt thertores.

12 Po të thuash: «Nuk e dinim»,

a s’do ta kuptojë ai që peshon zemrat?

Ai që kujdeset për jetën tënde e di

e do t’ia kthejë secilit sipas veprave të veta.

13 Ha mjaltë, biri im, se është i mirë

e hoja ta ëmbëlson gojën.

14 E tillë është urtia për shpirtin tënd, ta dish,

nëse e gjen, do të kesh një të ardhme

e nuk do të të pritet shpresa.

15 Mos rri në pritë, si i paudhë, te shtëpia e të drejtit

e mos e shkreto banesën e tij,

16 se, i drejti, shtatë herë rrëzohet, por ngrihet,

ndërsa të paudhët bien në zezonë.

17 Po u rrëzua armiku yt, mos u gëzo,

mos të të ngazëllejë zemra, kur ta zërë brenga,

18 që të mos e shohë Zoti, t’i vijë keq,

e ta largojë hidhërimin e vet prej tij.

19 Mos u hidhëro prej bakëqijve

e mos i ki zili të paudhët,

20 se e ardhmja e të keqit nuk do të zgjatë

e llamba e të paudhëve do të shuhet.

21 Druaje, biri im, Zotin dhe mbretin

e mos u përziej me ata që bëjnë ndryshe,

22 se befas do të ngrihet ndëshkimi i tyre

e kush e di si do të rrënohen ata të dy?

Thënie të tjera

23 Edhe këto janë për të urtët.

Të mbash anë në gjyq, nuk është mirë.

24 Kush i thotë të paudhit: «Je i drejtë»,

atë do ta mallkojnë popujt e do ta nëmin kombet.

25 Kush e qorton, do të gëzohet,

mbi të do të bjerë bekimi.

26 Përgjigjja me fjalët e duhura

është si puthja në buzë.

27 Një herë puno përjashta e bëj gati arën,

pastaj ndërtoje shtëpinë.

28 Mos e padit kot fqinjin

e mos të gënjejnë buzët e tua.

29 Mos thuaj: «Siç ma bëri do t’ia bëj,

do t’ia kthej secilit sipas veprës së tij».

30 Kalova pranë arës së përtacit,

pranë vreshtit të njeriut të pamend,

31 dhe ja: kudo ishin rritur ferrat,

e kishin mbuluar hithrat

dhe ishin shembur muret.

32 Shikova e mendova,

pashë e mësova.

33 Me pak gjumë e pak dremitje,

pak pushim duarkryq,

34 vjen skamja si endacake,

nevoja porsi shqytar.