Fjalët e urta 22

Më mirë një emër i mirë, se një pasuri e madhe,

më mirë të përmendesh për mirë, se të kesh ar e argjend.

Ja ku piqen i pasuri dhe i varfri:

ata të gjithë i ka krijuar Zoti.

I mençuri e sheh ligësinë e fshihet,

ndërsa thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen.

Përvujtëria sjell drojën e Zotit,

begati, nder e jetë.

Në udhën e të prapit ka gjemba e kurthe,

kush kujdeset për veten, rri larg tyre.

Mësoje të riun që në fillim të udhës,

se nuk do t’i shmanget as kur të plaket.

I pasuri sundon mbi të varfrit,

huamarrësi është skllav i huadhënësit.

Kush mbjell padrejtësi, korr ligësi;

shkopi i zemërimit të tij do të thyhet.

Zemërgjeri do të bekohet,

se ndan bukën me skamnorin.

10 Dëboje përqeshësin e grindja do të ikë,

do të reshtë zënka e çnderimi.

11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe është fjalëmirë,

është mik i mbretit.

12 Sytë e Zotit e ruajnë dijen,

ai i përmbys fjalët e të pabesit.

13 Thotë përtaci: «Përjashta është luani.

Mund të vritem në mes të rrugës!».

14 Pus i thellë është goja e të huajës,

i nëmuri nga Zoti, do të bjerë brenda.

15 Marrëzia është e lidhur me zemrën e të riut,

por e largon tej shkopi i qortimit.

16 Kush e shtyp skamnorin, e pasuron.

Kush i jep të pasurit, varfërohet.

Thëniet e të Urtit

17 Vëru vesh e dëgjoi fjalët e të urtëve,

vëri mend mësimit tim,

18 ruaji thellë në zemër se janë të këndshme,

mbaji gati në buzët e tua.

19 Që të kesh besim te Zoti,

sot po t’i shfaq edhe ty.

20 A nuk i shkrova për ty

tridhjetë këshilla e njoftime,

21 për të të treguar besueshmërinë e fjalëve të vërteta,

që t’u kthesh fjalë të vërteta dërguesve të tu?

22 Mos e zhvat skamnorin pse është skamnor,

mos e shtyp nevojtarin te porta,

23 sepse me çështjen e tyre do të merret Zoti

dhe do t’i zhvatë ata që ua zhvatin shpirtin.

24 Mos u shoqëro me zemërakun

e mos rri me njeriun e tërbuar,

25 që të mos mësosh udhët e tij

e të biesh vetë në kurth.

26 Mos ji nga ata që shtrijnë dorën

e hyjnë dorëzanë për detyrime.

27 Nëse nuk ke me se të paguash,

pse të ta marrin shtratin ku shtrihesh?

28 Mos i zhvendos kufijtë e moçëm

që kanë vënë etërit e tu.

29 Shiko njeriun e aftë në punën e vet!

Ai do të rrijë me mbretër e jo me njerëz çfarëdo.