Fjalët e urta 21

Zemra e mbretit është si rrjedhë uji në dorën e Zotit,

ai e kthen nga t’ia ketë ënda.

Njeriut i duken të drejta të gjitha rrugët,

por zemrat i peshon Zoti.

Të zbatosh të drejtën e drejtësinë

i pëlqen Zotit më shumë se flijimet.

Dritë e të paudhëve është mëkati,

shikim poshtërues e zemër mburracake.

Synimet e zelltarit sjellin mbarësi,

por kushdo që ngutet përfundon në skamje.

Thesaret e mbledhura me gënjeshtra

janë si avulli i davaritur nga ndjekësit e vdekjes.

Të paudhët i zvarrit dhuna e vet,

sepse i kundërvihen drejtësisë.

Udha e fajtorit është e shtrembër,

vepra e të pastrit është e drejtë.

Është më mirë të banosh në qoshen e një pullazi,

se të ndash shtëpinë me një grua grindavece.

10 Shpirti i të paudhit dëshiron të keqen

e para tij s’gjen falje as i afërti.

11 Kur ndëshkohet përqeshësi, urtohet thjeshtaku,

kur mësohet i urti, nxë dijen.

12 I drejti e vëzhgon shtëpinë e të paudhit,

i plandos të paudhët në zezonë.

13 Kush mbyll veshët ndaj britmës së skamnorit,

do të bërtasë vetë e nuk do të marrë përgjigje.

14 Dhurata e fshehtë zbut zemërimin

mita e dhënë nën dorë, tërbimin.

15 I drejti gëzohet kur bëhet drejtësia,

por bakëqijtë tmerrohen.

16 Njeriu që shmanget nga udha e mençurisë

do të prehet në botën e hijeve.

17 Kush jepet pas kënaqësisë është njeri i skamur,

kush jepet pas verës e vajrave erëmirë nuk do të pasurohet.

18 I paudhi do të paguajë për të drejtin,

e i prapi për të mbarin.

19 Më mirë të banosh në vend të shkretë,

se me një grua grindavece e zemërake.

20 Thesare tërheqëse e vajra erëmirë në shtëpinë e të urtit,

por i përlan i marri.

21 Kush ndjek drejtësinë e mirësinë,

do të gjejë jetë, drejtësi e nder.

22 I urti e sulmon qytetin e të fortëve,

ia shemb fortesën ku e kishte varur shpresën.

23 Kush mban gojën e gjuhën e vet,

ruan veten nga vështirësitë.

24 Krenari e mendjemadhi e kanë emrin përqeshës

dhe veprojnë me mburrje të tepërt.

25 Përtaci vdes nga dëshirat e veta,

se duart e tij s’duan të punojnë.

26 Lakmitari lakmon gjithë ditën,

i drejti jep pa kursim.

27 Flija e të paudhit është e neveritshme,

aq më tepër kur kushtohet me prapësi.

28 Dëshmitari i rremë do të marrë fund,

por njeriu që dëgjon do të flasë gjithmonë.

29 I paudhi vrenjt fytyrën,

por i drejti kalit sjelljen.

30 Nuk ka urti, s’ka mençuri

e s’ka këshillë përballë Zotit.

31 Kali është mbrehur për ditën e betejës,

por fitorja i përket Zotit.