Fjalët e urta 20

Vera është përqeshëse, pija e potershme,

kush jepet pas tyre nuk është i urtë.

Tërbimi i mbretit është si ulërima e luanit,

kush e ngacmon rrezikon jetën.

Shmangia e ngatërresave është nder për njeriun;

çdo i marrë bën shamatë.

Përtaci nuk lëron në vjeshtë

e kur vijnë të korrat s’gjen gjë.

Shestimet e zemrës janë si ujë i thellë,

por njeriu i mençur i nxjerr ato.

Shumë vetë mbahen për njerëz të mirë,

por kush e gjen një njeri besnik?

I drejti jeton me ndershmëri,

lum fëmijët që lë pas.

Mbreti që rri ulur mbi fronin e gjykimit,

shpërhap tërë të keqen me një shikim.

Kush mund të thotë: «E kam zemrën të pastër,

jam i dëlirë nga mëkati»?

10 Një peshë kështu e një peshë ashtu,

një masë kështu e një masë ashtu,

që të dyja i neveriten Zotit.

11 Fëmija njihet nga çfarë bën,

në është e pastër dhe e drejtë vepra e tij.

12 Veshin që dëgjon e syrin që shikon,

që të dy i ka bërë Zoti.

13 Mos të të pëlqejë gjumi, se varfërohesh,

hap sytë e do të ngopesh me bukë.

14 «E keqe, e keqe!», thotë blerësi,

por kur largohet, krenohet me veten.

15 Le të ketë ar e stoli sa të duash,

gjëja më e çmuar janë buzët e ditura.

16 Kujt ka hyrë dorëzanë për të panjohurin, merrja petkun,

mbaje peng për të huajt.

17 Buka e fituar me mashtrim duket e shijshme,

por më pas goja është plot rërë.

18 Bëji planet duke u këshilluar,

hyr në luftë duke u menduar mirë.

19 Shpifësi përendet e zbulon të fshehtat,

mos u përziej me kë s’i mbyllet goja.

20 Kujt mallkon të atin e të ëmën,

do t’i shuhet drita në mes të territ.

21 Trashëgimia e fituar shpejt në fillim

nuk do të jetë e bekuar në fund.

22 Mos thuaj: «Do ta kthej të keqen me të keqe!».

Prit të të lirojë Zoti.

23 Një peshë kështu e një peshë ashtu i neveriten Zotit,

peshorja e rreme nuk është e mirë.

24 Hapat e njeriut i drejton Zoti,

si mundet njeriu ta kuptojë udhën e vet?

25 Njeriu bie në kurth kur ngutet e thotë: «Kjo është e kushtuar!»

e pastaj pendohet për kushtimet.

26 Mbreti i urtë i shpërhap të paudhët

e i shtyp me rrotë.

27 Shpirti i njeriut është llambë e Zotit

që shqyrton gjer në thellësi.

28 Mirësia dhe e vërteta e ruajnë mbretin,

froni i tij mbështetet mbi mirësinë.

29 Krenaria e të rinjve është forca e tyre,

flokët e thinjura janë stolia e pleqve.

30 Plagët që kullojnë lajnë të keqen,

të rrahurat zorrët e barkut.