Fjalët e urta 19

Më mirë i varfri i ndershëm,

se gojëpërdali i marrë.

Zelli pa dije s’është gjë e mirë;

kush shpejton hapin, humb shtegun.

Njeriun e rrënon marrëzia e vet,

por zemra e tij tërbohet kundër Zotit.

Kamja i shton e i shumon miqtë,

ndërsa skamnori ngel pa miq.

Dëshmitari i rremë s’mbetet pa ndëshkuar,

kush përhap gënjeshtra, nuk ka shpëtim.

Dorëdhënët kanë shumë lajkatarë,

të gjithë bëhen miq me kë jep dhurata.

Të varfrin e urrejnë të gjithë vëllezërit.

Për më tepër e braktisin edhe miqtë.

Ai i thërret, por s’i gjenden.

Kush zë mend, e do veten,

kush ruan mençurinë, gjen të mirën.

Dëshmitari i rremë s’mbetet pa ndëshkuar,

kush përhap gënjeshtra, do të rrënohet.

10 Të marrit nuk i shkon mirëqenia,

aq më pak skllavit të sundojë mbi princa.

11 Mirëkuptimi ia zbut zemërimin njeriut,

të mos merret me fyerjen është nder për të.

12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit,

por përkrahja e tij është si vesa mbi bar.

13 Djali i marrë është fatkeqësi për të atin,

zënkat e gruas si pikim që s’mbaron.

14 Trashëgimi nga etërit: shtëpi e katandi,

por nga Zoti: një grua plot urti.

15 Përtacia vë në gjumë,

njeriu i plogësht do të uritet.

16 Kush mban urdhërimet, ruan veten,

kush sillet shkujdesur, do të vdesë.

17 Kush përkrah të varfrin, i jep hua Zotit.

Zoti do ta shpërblejë.

18 Sa të ketë shpresë, qortoje birin tënd,

por mos u mbush me duf për ta vrarë.

19 Kush është shumë zemërak duhet ndëshkuar,

se po ta falësh, prapë e përsërit.

20 Dëgjoje këshillën e pranoje rregullin,

që, në fund, të jesh i urtë.

21 Ka shumë shestime në mendjen e njeriut,

por veç plani i Zotit do të qëndrojë.

22 Mirësia e bën të këndshëm njeriun;

është më i mirë i varfri sesa gënjeshtari.

23 Droja e Zotit është jetë,

kush e ka fle i kënaqur, e s’e zë e keqja.

24 Përtaci e zhyt dorën në pjatë,

por nuk e çon dot te goja.

25 Godite përqeshësin e do të zërë mend thjeshtaku,

qortoje të mençurin e do ta kuptojë dijen.

26 Biri i pafytyrë e turpërues

nëpërkëmb të atin e dëbon të ëmën.

27 Biri im, po të mos dëgjosh më qortimin,

shkëputesh nga fjalët e dijes.

28 Dëshmitari i keq e fyen drejtësinë,

goja e të paudhëve e gëlltit mbrapshtinë.

29 Përqeshësit i pret gjykimi,

të marrët druri kurrizit.