Fjalët e urta 18

Kush ndjek tekat e veta, ndahet nga shokët,

shpërthen kundër çdo këshille.

Të marrin nuk e gëzon mençuria,

por shprehja e mendimeve të veta.

Bashkë me të ligun vjen edhe përçmimi,

bashkë me turpin vjen edhe poshtërimi.

Fjalët e gojës së njeriut janë ujëra të thella,

lum gufues është burimi i urtisë.

Nuk është mirë të mbështetësh të paudhin

e të përmbysësh të drejtin para gjyqit.

Buzët e të marrit çojnë në grindje

dhe goja e tij thërret për goditje.

Goja e të marrit është rrënimi i tij,

buzët e tij lak për jetën e vet.

Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme,

zbresin gjer te zorrët e barkut.

Kush është i ngathët në punën e vet,

është vëlla me kryerrënuesin.

10 Kullë e fortë është emri i Zotit,

atje rend i drejti dhe është i mbrojtur.

11 Kamja e të pasurit është kështjella e tij,

mur i lartë në përfytyrimin e tij.

12 Mendjemadhësia e njeriut i prin rrënimit,

lavdisë i prin përulësia.

13 Turp e faqja e zezë

për kë përgjigjet para se të dëgjojë.

14 Shpirti e mbështet njeriun në sëmundje,

po shpirtin e pikëlluar kush do ta mëkëmbë?

15 Mendja e mprehtë e arrin njohjen,

njohjen e kërkon veshi i të urtëve.

16 Dhurata ia hap rrugët njeriut,

e udhëheq përpara të mëdhenjve.

17 Kush flet i pari në një zënkë, duket i drejtë,

por vjen tjetri dhe e heton.

18 Grindjet mbyllen me short,

shorti vendos edhe mes të fuqishmëve.

19 Një vëlla i fyer është më i fortë se një kështjellë;

grindjet janë si hekurat e një kulle.

20 Njeriu ngihet me çfarë nxjerr nga goja,

me çfarë del nga buzët e tij.

21 Vdekja e jeta varen nga gjuha,

kush e do atë, do t’ia hajë frytet.

22 Kush gjen një grua, ka gjetur të mirën,

ka fituar përkrahjen e Zotit.

23 Fjalët e skamnorit janë përgjërime,

ndërsa i pasuri përgjigjet vrazhdë.

24 Njeriu mund ta pësojë nga miqtë,

por miku mund të jetë më i shtrenjtë se vëllai.