Fjalët e urta 16

Shestimet e zemrës i takojnë njeriut,

por përgjigjja vjen nga Zoti.

Njeriut i duken të pastra të gjitha sjelljet e veta,

por është Zoti ai që peshon shpirtrat.

Paraqitja Zotit veprat e tua

dhe shestimet e tua do të zënë vend.

Zoti e ka bërë gjithçka me një qëllim,

deri edhe të paudhin për ditën e mbrapshtë.

Zotit i neveritet mendjemadhi,

vërtet nuk do të mbesë pa u ndëshkuar.

Me mirësi e besnikëri shlyhet faji

e me drojën e Zotit shmanget e keqja.

Kur Zotit i pëlqen sjellja e një njeriu,

pajton me të edhe armiqtë e tij.

Më mirë pak e me të drejtë,

sesa shumë e pa të drejtë.

Njeriu e sheston udhën e vet,

por hapat ia drejton Zoti.

10 Kumti hyjnor është në buzët e mbretit,

goja e tij nuk do të gabojë në gjykim.

11 Masa dhe peshoret e drejta i përkasin Zotit,

të gjithë gurët e peshores janë vepër e tij.

12 Veprat e mbrapshta u neveriten mbretërve,

se froni i ka themelet në drejtësi.

13 Buzët e drejtësisë e gëzojnë mbretin,

ai e do kë flet me drejtësi.

14 Zemërimi i mbretit është lajmëtar i vdekjes,

kush e zbut, është njeri i urtë.

15 Kur ndrin fytyra e mbretit, ka jetë,

përkrahja e tij është si reja e shiut pranveror.

16 Sa mirë kur njeriu fiton urtinë e jo arin,

se duhet zgjedhur mençuria në vend të argjendit.

17 Udha e të drejtëve shmang të keqen,

kush sillet me kujdes, ruan jetën e vet.

18 Krenaria i prin rrënimit

dhe shpirti i sertë sjell rënien.

19 Më mirë të përulesh me të përulurit,

se të ndash prenë me krenarët.

20 Kush i mendon mirë gjërat, gjen të mirën,

kush beson në Zotin, është i lum.

21 Njeriu i urtë do të quhet i mençur,

të folurit ëmbël e shton mësimin.

22 Kush ka urti, ka burimin e jetës,

ndëshkimi i të marrëve është marrëzia.

23 Mendja e të urtit e mençuron gojën,

ua shton mësimin buzëve të tij.

24 Thëniet e këndshme janë hoje mjalti,

ëmbëlsi për shpirtin e shërim për eshtrat.

25 Ka udhë që duket e drejtë,

por në fund shpie në vdekje.

26 Punëtorin e bën uria të punojë,

e nxit goja e vet.

27 Njeriu i pavlerë gatit ligësi,

në buzët e tij një zjarr përvëlues.

28 Njeriu mashtrues mbjell grindje,

kush shpif përçan miqtë.

29 Njeriu i dhunshëm e ngashënjen të afërtin

e udha ku e shpie nuk është e mirë.

30 Kush shkel syrin, synon mashtrimin,

kur rrudh buzët, e ka bërë ligësinë.

31 Flokët e thinjur janë kurorë e ndritshme,

ajo gjendet në udhën e drejtësisë.

32 Më mirë i durueshëm, se i fortë,

më mirë të sundosh veten, se të pushtosh një qytet.

33 Shorti hidhet në prehër,

por vendimi vjen prej Zotit.