Fjalët e urta 15

Përgjigjja e butë e zmbraps zemërimin,

por fjala e rëndë ngjall hidhërim.

Gjuha e bukur e hijeshon dijen,

ndërsa goja e të marrëve zbraz marrëzi.

Sytë e Zotit arrijnë gjithkund,

vëzhgojnë të keqin e të mirin.

Një gjuhë e butë është pemë e jetës,

por një gjuhë e prapë vret shpirtin.

I marri e përçmon mësimin e të atit,

por, kush e pranon qortimin, bëhet i urtë.

Shtëpia e të drejtit është plot begati,

ndërsa fitimi i të paudhit sjell trazim.

Buzët e të urtëve përhapin dijen,

por jo mendja e të marrëve.

Flijimet e të paudhëve i neveriten Zotit.

Lutja e të drejtëve është gëzimi i tij.

Sjellja e të paudhit i neveritet Zotit,

ai e do atë që ndjek drejtësinë.

10 Kush lë udhën, duhet qortuar ashpër,

kush i urren qortimet, do të vdesë.

11 Para Zotit janë skëterra e humbëtira,

aq më tepër zemra e bijve të njeriut.

12 Përqeshësit nuk i pëlqen kush e qorton,

ai nuk shoqërohet me të urtët.

13 Një zemër e gëzuar ngazëllen fytyrën,

një zemër e pikëlluar këput shpirtin.

14 Zemra e të urtit kërkon dijen,

ndërsa goja e të marrit mbllaçit marrëzi.

15 Për skamnorin çdo ditë është e keqe,

por zemërmiri bën festë pa fund.

16 Më mirë pak me frikën e Zotit,

se një thesar i madh me trazim.

17 Më mirë një hise perimesh me dashuri,

se një viç i majmë me urrejtje.

18 Gjaknxehti mbjell grindje,

kush ka durim, ul gjakrat.

19 Udha e përtacit është si gardh me ferra,

por shtegu i të drejtëve është i rrafshët.

20 Djali i urtë e gëzon të atin,

por njeriu i marrë e përçmon të ëmën.

21 Marrëzia është gëzim për kë s’ka mend,

por njeriu i mençur ecën drejt.

22 Planet pa këshillime shkojnë huq,

por me shumë këshilltarë zënë vend.

23 Njeriu gëzohet kur jep përgjigje,

por sa e mirë është fjala e thënë kur duhet!

24 Jeta e ngre lart atë që sillet mirë,

kështu ai shmang teposhtën e skëterrës.

25 Zoti e rrënon shtëpinë e krenarëve,

por truallin e të vesë do ta mbrojë.

26 Shestimet e të mbrapshtit i neveriten Zotit,

por fjalët e këndshme janë të pastra.

27 Kush fiton me dredhi, e trazon shtëpinë,

kush i urren dhuratat, do të jetojë.

28 Mendja e të drejtit mendon e përgjigjet,

por goja e të paudhëve nxjerr ligësi.

29 Zoti është larg nga të paudhët,

por lutjen e të drejtëve e dëgjon.

30 Drita e syve ngazëllen zemrën,

një lajm i mirë mëkëmb eshtrat.

31 Veshi që dëgjon qortimin e shëndoshë

zë vend mes të urtëve.

32 Kush shpërfill rregullin, përçmon veten,

kush e pranon qortimin, zë mend.

33 Droja e Zotit është mësim urtie,

përpara lavdisë vjen përulja.