Fjalët e urta 13

Biri i urtë e dëgjon mësimin e të atit,

por përqeshësi nuk e dëgjon qortimin.

Njeriu ushqehet me të mira falë asaj që thotë,

por shpirti i mashtruesve ndryn dhunë.

Kush këqyr gojën e vet, ruan jetën e vet,

kush i shkyç buzët, mbi të bie rrënimi.

Përtaci dëshiron, por gjë s’fiton,

ndërsa zelltarëve u rritet jeta.

I drejti e urren fjalën e rreme,

i paudhi përlyen e turpëron.

Drejtësia ruan sjelljen e përkryer,

të paudhin e rrënon mëkati.

Dikush shtiret i pasur e s’ka asgjë,

dikush shtiret i varfër e ka shumë pasuri.

Pasuria është shpagim për jetën e njeriut,

por i varfri as që dëgjon kërcënim.

Drita e të drejtëve sjell gëzim,

por të paudhëve u shteron llamba.

10 Mendjemadhësia sjell vetëm grindje,

por me ata që këshillohen është urtia.

11 Pasuria e mbledhur shpejt e shpejt mpaket,

por kush mbledh ngadalë, e shumon.

12 Një shpresë e tejzgjatur e ligështon zemrën,

por një dëshirë e përmbushur është pemë jete.

13 Kush e përbuz fjalën, ndëshkon veten,

kush e druan urdhërimin, do të shpërblehet.

14 Mësimi i të urtit është burim jete

për të shmangur leqet e vdekjes.

15 Mirëkuptimi merr përkrahje;

mashtruesit janë të paepur.

16 Çdo i ftilluar vepron me zgjuarsi,

por i pamendi rrezaton marrëzi.

17 Lajmëtarin e paudhë e zë e keqja,

por lajmësi besnik sjell shërim.

18 Skamje e turp për kë shpërfill rregullin,

por kush e zbaton qortimin, do të nderohet.

19 Një dëshirë e plotësuar e lumturon njeriun,

por të marrët as që duan të heqin dorë nga e keqja.

20 Rri me të urtët e do të bëhesh i urtë,

por kush rri me të marrët do ta pësojë.

21 Mëkatarët i përndjek e keqja,

ndërsa të drejtët do të shpërblehen me të mira.

22 Njeriu i mirë u lë trashëgimi nipërve,

por prona e mëkatarëve ruhet për të drejtin.

23 Shumë ushqim ka në arat e skamnorëve,

por ja që përlahet me padrejtësi.

24 Kush e kursen shkopin, e urren të birin,

por kush e do atë, nxiton ta qortojë.

25 I drejti ha derisa ngihet,

por të paudhëve s’u mbushet barku.