Fjalët e urta 12

Kush do rregullin, do dijen,

por kush e urren qortimin, çnjerëzohet.

Kush është i mirë ka përkrahjen e Zotit,

ndërsa njeriun dinak e dënon.

Askush nuk zë rrënjë me prapësi,

por rrënja e të drejtëve nuk lëviz.

Një grua zonjë është kurorë për të shoqin,

por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij.

Të drejtët mendojnë drejtësinë,

të paudhët këshillojnë mashtrimin.

Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare,

por të drejtët do t’i çlirojë goja e vet.

Të paudhët bien e s’janë më,

por shtëpia e të drejtëve qëndron.

Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij,

por mendjeçarturit do të përbuzen.

Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor,

sesa i mburrur, por i pangrënë.

10 I drejti kujdeset për bagëtitë e veta,

por ndjenjat e të paudhëve janë mizore.

11 Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë,

kush rend pas kotësive është i pamend.

12 Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish,

rrënja e të drejtëve lulëzon.

13 Buzët e përdala janë kurthi i të ligut,

por i drejti do të shpëtojë nga ankthi.

14 Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja,

secili shpërblehet sipas veprave që bën.

15 I marri kujton se sillet drejt,

por kush dëgjon këshillën është i urtë.

16 I marri e tregon qartë zemërimin e vet,

ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin.

17 Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë,

por dëshmitari i rremë, mashtrimin.

18 Kush flet pa menduar është si shpatë therëse,

por gjuha e të urtëve është shërim.

19 Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë,

por gjuha gënjeshtare vetëm për pak.

20 Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim,

këshilltarëve të paqes u takon gëzimi.

21 Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim,

ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija.

22 Buzët gënjeshtare i neveriten Zotit,

por atë e gëzon kush thotë të vërtetën.

23 Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen,

kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë.

24 Dora e punëtorit do të mbizotërojë

e dora e përtacit do të nënshtrohet.

25 Ankthi i zemrës e thyen burrin,

ndërsa një fjalë e mirë e gëzon.

26 I drejti e drejton të afërtin e vet,

por udha e të paudhëve ngatërron vetë ata.

27 Përtaci nuk do të ketë gjah për të pjekur,

por zelli i jep njeriut pasuri të çmueshme.

28 Në udhën e drejtësisë është jeta,

nuk ka vdekje në shtigjet e saj.