Filipianëve 4

Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, që ju kujtoj me mall e që jeni gëzimi e kurora ime, qëndroni të fortë në Zotin, o fort të dashur.

Porosi të ndryshme

U bëj thirrje Evodisë e Sintikës që, me njëra-tjetrën, të jenë të një mendje në Zotin. Të lutem edhe ty, o miku im i vërtetë, t’i ndihmosh ato, se kanë luftuar krah meje për ungjillin së bashku me Klementin dhe bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.

Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri po ju them: gëzohuni! Zemërbutësia juaj le t’u bëhet e njohur të gjithë njerëzve. Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë, por për çdo gjë drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë me lutje, me përgjërime e me falënderime. Paqja e Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore, do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja, që të jenë pranë Krishtit Jezu.

Së fundi, vëllezër, kini në mendje të gjitha sa janë të vërteta, sa janë të ndershme, sa janë të drejta, sa janë të dëlira, sa janë të dashura, të gjitha sa kanë emër të mirë, sa janë të virtytshme dhe sa janë të denja për t’u lavdëruar. Bëni gjithçka që keni mësuar e keni marrë prej meje dhe që keni dëgjuar e keni parë në mua. Perëndia i paqes do të jetë me ju.

Mirënjohje për dhuratën

10 U gëzova shumë në Zotin që tani më në fund e rigjallëruat përkujdesjen tuaj për mua. Në të vërtetë ju e kishit në mendje, por nuk ju ishte dhënë rasti ta tregonit. 11 Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë kam mësuar të jem i kënaqur në çdo rrethanë. 12 Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë. 13 Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon.

14 Megjithatë, ju bëtë mirë që m’u gjendët pranë në vështirësitë e mia.

15 Ju, o filipianë, e dini se kur fillova të predikoj ungjillin, pasi u largova nga Maqedonia, asnjë kishë, përveç jush, nuk më ndihmoi me të holla. 16 Në të vërtetë edhe kur gjendesha në Selanik, jo një, por dy herë, ju më dërguat ndihmë kur isha në nevojë. 17 Unë nuk po kërkoj dhuratë nga ju, por po kërkoj të shoh frytet e zemërgjerësisë suaj që janë për dobinë tuaj.

18 Unë kam gjithçka dhe më tepron. Kam gjithë të mirat, pasi mora nga Epafroditi çfarë më kishit dërguar ju, një aromë erëmirë, një fli e pranueshme, e pëlqyeshme për Perëndinë. 19 Perëndia im do të plotësojë përmes Krishtit Jezu çdo nevojë tuajën, sipas pasurive të tij të lavdishme. 20 Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!

Përshëndetjet e fundit

21 Përshëndetni të gjithë të shenjtët në emër të Krishtit Jezu.

Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin.

22 Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit.

23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj.