Filipianëve 2

Përulësia dhe Krishti

Nëse Krishti është shtysa e jetës suaj, nëse dashuria ju ngushëllon, nëse keni bashkësi me Shpirtin, nëse tregoni dashuri e mëshirë për njëri-tjetrin, atëherë bëjeni të plotë gëzimin tim, duke qenë të një mendjeje, duke pasur të njëjtën dashuri dhe duke pasur një shpirt e një mendje. Mos bëni asgjë prej sedrës së sëmurë a për lavdi të kotë, por me përulësi çmojeni tjetrin më shumë se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve. Kini ndër ju po atë mendje që kishte edhe Krishti Jezu,

i cili, megjithëse kishte natyrë hyjnoreb,

të qenit i barabartë me Perëndinë

nuk e pa si diçka

pas së cilës të mbahej fort,

por e zbrazi veten

duke marrë natyrë shërbëtori

e u bë i ngjashëm me njerëzit.

Kur u shfaq si njeri,

ai e përuli veten

e u bë i bindur deri në vdekje,

madje me vdekje në kryq.

Prandaj edhe Perëndia

e lartësoi mbi gjithçka tjetër

e i dha emrin që është mbi çdo emër,

10 që në emrin e Jezuit

të bien në gjunjë

të gjitha qeniet që janë

në qiell,

mbi tokë

nëntokë

11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë

se Jezu Krishti është Zot,

që të përlëvdohet

Perëndia Atë.

Punoni për shpëtimin

12 Prandaj, fort të dashur, ashtu siç jeni bindur gjithmonë, jo vetëm kur isha mes jush, por shumë më tepër tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, 13 se është vetë Perëndia ai që ju jep vullnetin e forcën për të vepruar, ashtu siç i pëlqen atij.

14 Bëni gjithçka pa murmuritur e pa u ankuar, 15 që të jeni të paqortueshëm e të panjollë, bij të Perëndisë, të patëmetë në mes të një breznie të shthurur e të çoroditur. Mes kësaj breznie ju ndriçoni si yjet në qiell, 16 duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem ditën e ardhjes së Krishtit, se nuk vrapova e as nuk u mundova më kot.

17 Edhe nëse gjaku im do të derdhej si flijim mbi flinë kushtuese të besimit tuaj ndaj Perëndisë, do të gëzohem e do të ngazëllej bashkë me të gjithë ju. 18 Po ashtu edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua.

Timoteu dhe Epafroditi

19 Shpresoj se me ndihmën e Zotit Jezu do t’ju dërgoj së shpejti Timoteun, që të marr edhe unë zemër kur të kem lajme prej jush. 20 Përveç tij, nuk kam asnjë tjetër që të jetë në një mendje me mua e që të kujdeset sinqerisht për mirëqenien tuaj. 21 Sepse të gjithë shohin interesin e vet dhe jo atë të Jezu Krishtit. 22 Ju e dini sesa i sprovuar është treguar Timoteu. Ai ka shërbyer bashkë me mua për përhapjen e ungjillit dhe më ka ndihmuar si biri ndihmon të atin. 23 Kështu, shpresoj t’jua dërgoj sapo të shoh si do të shkojnë punët me mua. 24 Por jam i bindur se Zoti do të më ndihmojë, që edhe unë vetë të vij së shpejti.

25 M’u duk e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë, bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që e kishit dërguar për të më shërbyer mua. 26 Ai kishte shumë mall për ju të gjithë dhe u shqetësua kur mori vesh se ju kishit dëgjuar për sëmundjen e tij. 27 Është e vërtetë që ai u sëmur për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos hidhërohesha edhe më shumë.

28 Prandaj e dërgova me ngut që ju të gëzoheni kur ta shihni përsëri dhe unë të jem më pak i brengosur. 29 Priteni, pra, me plot gëzim në Zotin dhe nderojini njerëz të tillë si ai, 30 sepse për veprën e Krishtit ai për pak sa s’vdiq dhe vuri në rrezik jetën e vet për të plotësuar ndihmën që ju nuk mund të ma jepnit.


 b2.6 ose: trajtën e Perëndisë