Ezekieli 7

Dita e zemërimit të Zotit

Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut: kështu i thotë Zoti im, Zoti, tokës së Izraelit. Më në fund po u vjen fundi të katër skajeve të dheut. Tani që po të vjen fundi, do të hedh kundër teje zemërimin tim, do të të gjykoj sipas veprave të tua e do të të shpërblej sipas të gjitha pështirësive të tua. Syri im nuk do të ketë mëshirë për ty e nuk do të kem dhembshuri, por do të të ndëshkoj për sjelljet e tua e do të t’i kthej pështirësitë e tua, që ta merrni vesh se unë jam Zoti.

Kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po vjen një zezonë pas tjetrës. Fundi po vjen. Po vjen fundi. U zgjua kundër teje. Ja, po vjen. Po të vjen radha, o banor i dheut. Po vjen koha, po afrohet dita. Dita e trazirës dhe jo e britmës së haresë nëpër male. Tani, së shpejti, do ta zbraz mbi ty hidhërimin tim e mbi ty do ta shteroj zemërimin tim. Do të të gjykoj sipas sjelljeve të tua e do të të shpërblej sipas të gjitha pështirësive të tua. Nuk do të ketë mëshirë për ty syri im dhe nuk do të kem dhembshuri, por do të të shpërblej sipas sjelljeve të tua e do të t’i kthej pështirësitë e tua. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti, ai që godet. 10 Ja dita! Ja, po vjen. Po vjen fatkeqësia jote, lulëzoi shkopi, buloi mburrja, 11 dhuna u ngrit e u bë shkop padrejtësie. Askush nuk do të mbetet prej tyre, as begatia, as pasuria e tyre. Ndër ta nuk do të spikatë asnjë. 12 Erdhi koha, mbërriti dita. Kush ka blerë, të mos gëzohet. As shitësi të mos qahet, se mbi mbarë turmën e tyre po bie zemërimi. 13 Se shitësi nuk do të kthehet te çfarë ka shitur, sa të jenë gjallë, e vegimi kundër të gjithë begatisë nuk do të kthehet pas. Për shkak të ligësisë së vet, askush nuk do të mbahet në jetë.

14 I kanë rënë borisë dhe gjithçka është gati, por askush nuk shkon në betejë, sepse mëria ime është kundër të gjithë turmës. 15 Shpata, përjashta e zia e bukës, përbrenda. Kush gjendet në arë, do të vdesë prej shpatës. Zia e bukës e uria do të përpijnë kë gjendet në qytet. 16 Të ikurit e tyre do të shkojnë nëpër male, si pëllumbat e luginave, të gjithë duke rënkuar, për shkak të ligësisë së vet. 17 Të gjitha duart do të meken e të gjithë gjunjët do të bëhen ujë. 18 Do të vishen me grathore e do t’i mbulojë drithërima. Turpi do të gjendet mbi çdo fytyrë e mbi çdo kokë do të vihet brisku. 19 Do ta hedhin argjendin nëpër rrugë dhe ari i tyre do të fëlliqet. Argjendi e ari nuk do t’i shpëtojnë dot në ditën e hidhërimit të Zotit. Nuk do ta shuajnë urinë e nuk do t’i mbushin zorrët, se do t’u bëhet pengesë ligësia e vet. 20 Bukurinë e stolive të veta e kthyen në mburrje dhe bënë me to shtatoret e neveritshme e pështirësitë, prandaj do t’ua kthej në fëlliqësirë. 21 Do t’ua jap të huajve për plaçkë, do të bëhen pre e të paudhëve të dheut e ata do t’i përdhosin. 22 Do ta heq prej tyre fytyrën time e ata do ta përdhosin thesarin tim. Do të hyjnë vjedhësit e do ta përdhosin. 23 Bëj një vargua, se vendi është plot me gjak që lyp gjyq dhe qyteti është plot me dhunë. 24 Do të dërgoj kombet më të liga, që të marrin në zotërim shtëpinë e tyre. Do t’i jap fund mburrjes së të fuqishmëve dhe shenjtëroret e tyre do të përdhosen. 25 Kur të vijë ankthi, do të kërkojnë paqe, por paqe nuk do të ketë. 26 Do të vijë mjerim pas mjerimi, lajm pas lajmi. Do të kërkojnë ndonjë vegim nga ndonjë profet, ndërkohë që ligji do të nëpërkëmbet nga prifti e këshilla nga pleqtë. 27 Mbreti do të mbajë zi, princi do të vishet me pikëllim dhe popullit të vendit do t’i dridhen duart. Do të sillem me ta sipas sjelljeve të tyre, do t’i gjykoj sipas gjykimeve të tyre e do ta marrin vesh se unë jam Zoti».