Ezekieli 47

Gurra e tempullit

Pastaj më çoi te hyrja e tempullit. Dhe ja, prej nënpragut të tempullit dilte ujë drejt lindjes, sepse pamja e tempullit ishte drejt jugut. Uji zbriste nën anën e djathtë të tempullit, nga jugu i altarit. Pastaj më nxori udhës së portës veriore dhe më solli rrotull përjashta, deri te porta e jashtme me pamje drejt lindjes. Ja, uji rridhte në krahun e djathtë.

Burri doli drejt lindjes me një litar në dorë dhe mati një mijë kute. Pastaj më bëri të kaloj nëpër ujë. Uji më mbërrinte deri te nyjat. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte te gjunjtë. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte në mes. Mati edhe një mijë. U bë një lumë që nuk mund ta kapërceja, se ujërat ishin fryrë. Ishin ujëra të lundrueshme, lumë që nuk mund të kalohej. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a sheh?».

Pastaj më ktheu në breg të lumit. Duke u kthyer, pashë një bimësi të madhe në breg të lumit nga njëra anë e nga ana tjetër. Ai më tha: «Këto ujëra rrjedhin drejt trojeve lindore, zbresin në Arabah dhe derdhen në det. Kur derdhen në det, ujërat pastrohen. Kudo që shkon lumi, çdo qenie e gjallë që gëlon do të jetojë. Do të ketë peshk me tepri, sepse ku mbërrijnë ujërat, sjellin shërim dhe, ku mbërrin lumi, do të ketë jetë. 10 Në brigjet e tij do të ketë peshkatarë. Hapësira për të shtrirë rrjetat do të jetë nga En Gedi në Eneglaim. Do të ketë peshk të shumëllojshëm, si peshku i detit të madh. 11 Kënetat dhe gjolet e tij nuk do të shërohen, por do të mbeten për kripë. 12 Përgjatë rrjedhës, në të dyja brigjet, do të rriten të gjitha llojet e pemëve frutore. Gjethet e tyre nuk do të vyshken dhe fryti i tyre nuk do të mbarojë, por do të lidhin fryt çdo muaj, sepse uji i tyre rrjedh nga shenjtërorja. Fryti i tyre do të jetë ushqim dhe gjethet e tyre do të sjellin shërim».

Ndarja e vendit

13 Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Këta do të jenë kufijtë e tokës që do të ndani si trashëgimi ndërmjet dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefi do të marrë dy pjesë. 14 Duhet ta ndani në mënyrë të barabartë trashëgiminë që u betova t’ua jepja etërve tuaj. Kjo tokë do t’ju bjerë trashëgim.

15 Këta do të jenë kufijtë e tokës: në anën veriore, nga deti i madh udhës së Hetlonit deri në Lebo Hamat e deri në Cedad, 16 Berotah, Sibraim, që është ndërmjet kufijve të Damaskut e të Hamatit, e deri në Hacerhatikon, në kufi me Havranin. 17 Kufiri do të shkojë nga deti në Hacar Enan, në kufirin verior të Damaskut, me kufirin e Hamatit në veri. Kjo do të jetë ana veriore.

18 Në anën lindore, kufiri do të kalojë ndërmjet Havranit e Damaskut, përgjatë Jordanit prej Gileadit dhe tokës së Izraelit, deri në detin lindor. Kjo do të jetë ana lindore. 19 Në anën jugore, në drejtim të jugut kufiri është nga Tamara deri tek ujërat e Meribë Kadeshit, deri te vau i detit të madh. Kjo do të jetë ana jugore në drejtim të jugut. 20 Në anën perëndimore do të shërbejë si kufi deti i madh deri kundruall Lebo Hamatit. Kjo do të jetë ana perëndimore.

21 Do ta ndani këtë tokë mes jush sipas fiseve të Izraelit. 22 Do t’ju bjerë si pronë për vete dhe për të huajt që banojnë mes jush dhe kanë lindur fëmijë mes jush. Ata do të jenë për ju si bijtë vendas të Izraelit dhe do të marrin trashëgiminë me ju mes fiseve të Izraelit. 23 Në atë fis ku do të banojë ardhacaku, atje do t’ia jepni trashëgiminë, kumton Zoti im, Zoti».