Ezekieli 44

Dera lindore

Pastaj më çoi te dera e shenjtërores me pamje nga lindja. Ajo ishte e mbyllur. Atëherë Zoti më tha: «Kjo derë duhet të mbetet e mbyllur. Nuk duhet hapur dhe askush nuk duhet të hyjë përmes saj, sepse Zoti, Perëndia i Izraelit ka hyrë përmes saj, prandaj duhet të mbetet e mbyllur. Vetëm princi, ai mund të ulet në të për të ngrënë bukën para Zotit. Ai do të hyjë nga portiku i portës e do të dalë në atë drejtim».

Pastaj më çoi te porta veriore kundruall tempullit. Unë pashë dhe, ja, lavdia e Zotit e kishte mbushur tempullin e Zotit. Atëherë rashë përmbys. Pastaj Zoti më tha: «Bir i njeriut, vëri mendjen, shiko me sytë e tu dhe dëgjo me veshët e tu gjithçka do të të tregoj për të gjitha rregullat e tempullit të Zotit dhe për të gjitha ligjet e tij. Vëri mendjen hyrjes së tempullit dhe të gjitha daljeve të shenjtërores. Pastaj do t’i thuash shtëpisë kryeneçe të Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: të shumta qenë pështirësitë e tua, o shtëpia e Izraelit, se keni futur të huajt, të parrethprerë në zemër e në mish, që të rrinin në shenjtëroren time, që ta përdhosnin tempullin tim, ku më kushtonit për ushqim dhjamin e gjakun. Të gjitha pështirësitë tuaja e thyen besëlidhjen time. Nuk u kujdesët t’i ruanit gjërat e mia të shenjta, por caktuat të tjerët ta merrnin nën kujdes për ju rojtarinë e shenjtërores sime.

Kështu thotë Zoti im, Zoti: asnjë i huaj i parrethprerë në zemër dhe i parrethprerë në mish nuk do të hyjë në shenjtëroren time. Asnjë nga të gjithë të huajt që gjenden në mes të bijve të Izraelit. 10 Edhe levitët, që u larguan prej meje kur izraelitët e lanë rrugën time dhe ndoqën idhujt e tyre, do të heqin për fajin e vet. 11 Do të jenë shërbestarë në shenjtëroren time. Do të mbikëqyrin portat e tempullit dhe do të jenë shërbestarë të tempullit. Ata do t’i therin flitë e shkrumbimit dhe flitë për popullin. Ata do të qëndrojnë para popullit, për t’u shërbyer. 12 Meqë u kanë shërbyer atyre, në prani të idhujve të vet, dhe janë bërë shkas faji për shtëpinë e Izraelit, jam betuar për ta, kumton Zoti im, Zoti, se do të heqin për fajin e vet. 13 Nuk do të afrohen tek unë, për të më shërbyer si priftërinj, për të qenë afër me gjërat e shenjta dhe të tejetshenjtat, por do të ngarkohen me turpin e vet dhe pështirësitë që kanë bërë. 14 Do t’ua lë atyre nën kujdes rojtarinë e tempullit, për t’i shërbyer atij në gjithçka e për gjithçka duhet bërë në të.

Rregullat për priftërinjtë

15 Por, priftërinjtë levitë, bij të Cadokut, që u kujdesën për rojtarinë e shenjtërores sime kur bijtë e Izraelit e lanë rrugën time, do të afrohen tek unë për të më shërbyer dhe do të qëndrojnë para meje për të më kushtuar dhjamin dhe gjakun, kumton Zoti im, Zoti16 Ata do të hyjnë në shenjtëroren time dhe do t’i afrohen tryezës sime për të më shërbyer. Ata do ta mbajnë shërbestarinë time. 17 Kur të hyjnë nëpër dyert e tremes së brendshme, do të vishen me petka liri. Nuk do të hedhin përsipër petka prej leshi kur të shërbejnë te portat e tremes së brendshme dhe në tempull. 18 Do të mbajnë në kokë kësula të linjta dhe do t’i ngjeshin ijët me të brendshme të linjta. Nuk do të ngjishen me petka që shkaktojnë djersitje. 19 Kur të dalin në tremen e jashtme te njerëzit, do t’i heqin petkat me të cilat kanë shërbyer, do t’i lënë në dhomat e shenjtërores dhe do të vishen me petkat e tjera, për të mos e shenjtëruar popullin me petkat e tyre. 20 Nuk do ta rruajnë kokën e nuk do t’i rrisin flokët, por do t’i qethin kokat. 21 Asnjë prift nuk do të pijë verë kur të hyjë në tremen e brendshme. 22 Nuk do të marrin për grua ndonjë të ve, as ndonjë të ndarë, por vetëm ndonjë vashë nga farefisi i Izraelit. Megjithatë, të venë e ndonjë prifti mund ta marrin. 23 Do t’i mësojnë popullit tim gjërat e shenjta dhe të rëndomtat. Do t’i tregojnë çfarë është e pastër dhe çfarë është e papastër. 24 Në ndonjë rragatje ata do të sillen si gjyqtarë, duke gjykuar sipas vendimeve të mia. Do të mbajnë ligjet dhe rregullat e mia në të gjitha festat e mia. Edhe të shtunat e mia do t’i shenjtërojnë. 25 Nuk do të shkojnë te njerëzit e vdekur, që të mos bëhen të papastër, por për atin, për nënën, për birin, për bijën, për vëllanë dhe për motrën pa burrë mund të bëhen të papastër. 26 Pasi të jetë pastruar, do t’i numërojnë shtatë ditë 27 dhe, kur të hyjë në vendin e shenjtë, në tremen e brendshme, për të shërbyer në shenjtërore, do të kushtojë për vete flinë për mëkatin, kumton Zoti im, Zoti.

28 Ata nuk do të kenë trashëgimi. Unë jam trashëgimia e tyre. Nuk do t’u jepet pronë në Izrael. Unë jam prona e tyre. 29 Do të kenë për ushqim flinë e drithit, flinë për mëkatin, flinë për fajin dhe gjithçka që kushtohet në Izrael do të jetë e tyrja. 30 Pjesa më e mirë e të gjitha të lashtave të çdo lloji, çdo kushtim i çdo lloj kushtimi tuaj do t’u përkasë priftërinjve. Do t’u jepni priftërinjve edhe miellin më të mirë, që bekimi të prehet në shtëpinë tuaj. 31 Priftërinjtë nuk do të hanë asnjë kërmë apo coftinë zogjsh apo kafshësh».