Ezekieli 38

Kundër Gogut

Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, sillu drejt Gogut, në dheun e Magogut, kryeprincit të Meshekut e Tubalit, dhe profetizo kundër tij. Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë jam kundër teje, o Gog, kryeprinc i Meshekut e Tubalit. Do të të shpërvjel e do të t’i mbërthej nofullat me ganxha. Do të të nxjerr përjashta ty, tërë ushtrinë tënde, kuajt e kalorësit, të gjithë të ngjeshur përsosmërisht, hordhi e madhe, me parzmore e mburoja, të gjithë shpatarë. Persia, Kushi e Puti janë me ta. Të gjithë me mburojë e përkrenare. Gomeri me tërë aradhet e veta, shtëpia e Togarmahut nga skajet e veriut me aradhet e veta. Shumë popuj ke me vete.

Gatitu e përgatitu ti dhe tërë hordhia jote që është mbledhur me ty. Bëhu rojtari i tyre. Pas shumë ditësh do të marrësh urdhër. Pas disa vitesh do të dalësh kundër një toke që i shpëtoi shpatës, që prej shumë popujsh është mbledhur mbi malet e Izraelit, të cilët u shkretuan pareshtur. Ai është nxjerrë nga popujt e tjerë dhe të gjithë banojnë të qetë. Ti do të përparosh. Si stuhia do të mbërrish. Do të jesh porsi reja që mbështjell tokën, ti, mbarë aradhet dhe popujt e shumtë me ty.

10 Kështu thotë Zoti im, Zoti: në ato ditë do të të vijnë ndër mend mendime e do të thurësh synime të liga. 11 Do të thuash: do të përparoj kundër një toke të pambrojtur. Do të mbërrij te njerëzit e patrazuar, që banojnë të qetë, që banojnë të gjithë pa mure dhe nuk kanë as shula, as dyer, 12 për të bastisur e për të plaçkitur, për të vënë dorë në rrënojat e banuara dhe në popullin e mbledhur nga kombet, që kanë blerë bagëti e prona, që banojnë në mes të tokës. 13 Sheba, Dedani dhe tregtarët e Tarshishit me tërë luanëthit e tyre do të të thonë: a ke ardhur për të bastisur? A e ke mbledhur hordhinë për të plaçkitur, për të rrëmbyer argjend e ar, për të grabitur bagëti e prona, për të bastisur pa masë?

14 Prandaj, bir i njeriut, profetizo dhe thuaji Gogut se kështu thotë Zoti im, Zoti: kur Izraeli, populli im, do të banojë i qetë, ti do të nisesh. 15 Do të vish nga vendi yt, prej skajeve të veriut, ti dhe shumë popuj me ty, të gjithë kaluar mbi kuaj, hordhi e madhe, ushtri e madhe. 16 Do të përparoni kundër popullit tim, Izraelit, si reja që mbështjell tokën. Kur të sosen ditët, do të të sjell kundër tokës sime, që të më njohin kombet, kur ta kem shfaqur përmes teje shenjtërinë para tyre, o Gog.

17 Kështu thotë Zoti im, Zoti: a je ti ai për të cilin kisha folur në ditët e kahershme me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve të Izraelit, të cilët ato ditë dhe për shumë vite profetizuan se unë do të të kisha dërguar kundër tyre? 18 Por në atë ditë, në ditën kur Gogu do të vijë kundër tokës së Izraelit, kumton Zoti im, Zoti, do të vlojë zemërimi e tërbimi im. 19 Me smirë e me zemërim të zjarrtë e kam marrë vendimin: atë ditë do të bjerë tërmet i madh në dheun e Izraelit. 20 Peshqit e detit, zogjtë e qiellit, kafshët e fushës, zvarranikët e dheut dhe të gjithë njerëzit që gjenden mbi faqen e dheut, do të dridhen para meje. Malet do të rrokullisen, shkëmbinjtë do të shkërmoqen dhe të gjitha muret do të shemben përdhe. 21 Unë do të thërras shpatën kundër tij, mbi të gjitha malet e mia, kumton Zoti im, Zoti. Shpata e çdo njeriu do të bjerë kundër vëllait të vet. 22 Do të bëj drejtësi kundër tij me murtajë e me gjak. Do të zbraz shi të rrëmbyeshëm, breshër gurësh, zjarr e sulfur mbi të e mbi aradhet e tij, mbi popujt e shumtë që janë me të. 23 Do të shfaq madhështinë dhe shenjtërinë time e do të bëhem i njohur para shumë kombeve. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti».