Ezekieli 31

Vrasja e Faraonit

Në vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e tretë, në ditën e tretë të muajit, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe turmës së tij:

kujt i ngjan ti në madhështinë tënde?

Ja, Asiria ishte cedër në Liban,

me degë të bukura

e me kurorë hijeplotë,

shtatlartë, me degët që kapnin retë.

Ujërat e kishin ushqyer,

humnera e kishte lartësuar,

me lumenjtë që rridhnin rreth dheut ku u mboll,

me rrëketë lëshuar kah tërë pemët e fushës.

Kështu u ngrit lart mbi pemët e fushës,

me degë të zgjatura, me kurorë të dendur,

falë ujërave të begata, kur buloi.

Ndër degët e tij e vunë folenë

të gjithë zogjtë e qiellit;

nën degët e tij pollën

të gjitha kafshët e fushës;

nën hijen e tij u ulën

të gjitha kombet e mëdha.

Ishte i hijshëm në madhështinë e tij,

me degët e gjata,

se rrënjët i kishte në ujëra të begata.

Cedrat nuk e mbulonin dot

në kopshtin e Perëndisë;

selvitë nuk përngjanin me kurorën e tij;

asnjë pemë në kopshtin e Perëndisë

nuk ngjante me të për hijeshi.

E bëra të bukur, me degë të dendura,

prandaj e lakmonin mbarë pemët e Edenit

që gjendeshin në kopshtin e Perëndisë.

10 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë u krekos për shkak të lartësisë së vet e i mbërriti maja ndër re dhe iu rrit mendja për shkak të lartësisë, 11 do t’ia lë në dorë një princi të kombeve. Ai do të veprojë me të sipas ligësisë së tij. Unë e dëbova. 12 Kombet e huaja mizore do ta zhbijnë e do ta braktisin. Nëpër male e në të gjitha luginat ranë degët e tij. U thyen filizat e tij dhe kurorat e tij u plandosën në të gjitha shpatet. U larguan nga hija e tij të gjithë popujt e tokës dhe e braktisën. 13 Në trungun e tij të rënë vendohen të gjithë zogjtë e qiellit dhe në degët e tij prehen të gjitha kafshët e fushës, 14 që të mos rritet lart asnjë pemë ndanë ujit e të mos i kapë retë maja e tyre, të mos ngrihen falë lartësisë së vet asnjë nga të parët e tyre, që ushqehen me ujë, se të gjithë do t’i falen vdekjes e nëndheut, mes bijve të njerëzve, drejt atyre që zbresin në gropë.

15 Kështu thotë Zoti im, Zoti: ditën kur zbriti në skëterrë, unë shpalla zinë. E mbylla humnerën sipër tij, ia ndala lumenjtë dhe u shterën ujërat e shumtë. E bëra Libanin të vajtojë për të dhe të gjitha pemët e fushës u mekën prej saj. 16 Kombet i bëra të dridhen nga ushtima e shembjes së tij, kur e plandosa në skëterrë, me ata që zbresin në gropë. U ngushëlluan në nëntokë të gjitha pemët e Edenit, më të zgjedhurat e më të mirat e Libanit, të gjitha të ushqyera me ujë. 17 Edhe ato zbritën në skëterrë me të, me të therurit me shpatë. Ishin krahu i tij dhe banonin mes kombeve në hijen e tij.

18 Me cilën ndër pemët e Edenit ngjason, ti kështu, për nga lavdia e madhështia? Do të plandosesh me pemët e Edenit në nëntokë. Me të parrethprerët do të banosh, me të therurit me shpatë. Ky është faraoni dhe tërë turma e tij, kumton Zoti im, Zoti».