Ezekieli 29

Kundër Egjiptit

Në vitin e dhjetë, në muajin e dhjetë, më dymbëdhjetë të atij muaji, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, sillu kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe profetizo kundër tij e kundër mbarë Egjiptit. Fol e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti:

ja ku më ke, kundër teje, o faraon,

mbreti i Egjiptit,

përbindësh i madh shtrirë mes rrjedhave të tij,

që ke thënë: “Nili është i imi, e krijova për vete”.

Do t’i mbërthej me ganxha nofullat e tua,

do të t’i ngjis pas luspave peshqit e rrjedhave të tua.

Do të të ngre nga mesi i rrjedhave të tua

bashkë me peshkun e rrjedhave

që do të të ngjitet pas luspave.

Do të të dëboj në shkretëtirë,

ty dhe tërë peshqit e rrjedhave të tua.

Do të biesh në fushë të hapur

e nuk do të mblidhesh, as do të bashkohesh.

Do të të bëj ushqim për egërsirat e dheut

e për zogjtë e qiellit.

Do ta marrin vesh të gjithë banorët e Egjiptit se unë jam Zoti.

Se ti ishe shkop kallami për shtëpinë e Izraelit. Kur të kapën me dorë, u shkërmoqe dhe ua gërvishte supet. Kur u mbështetën te ti, u theve dhe ua përdrodhe ijët. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do të dërgoj shpatën kundër teje e do të zhduk prej teje njerëz e kafshë. Dheu i Egjiptit do të bëhet shkretim e rrënim dhe do ta marrin vesh se unë jam Zoti.

Meqë ai tha: “Nili është i imi. Unë e krijova”, 10 për këtë, ja ku më ke kundër teje e kundër rrjedhave të tua. Do ta kthej tokën e Egjiptit në djerrinë, shkretim e rrënim nga Migdoli në Sieneh e deri në kufi me Kushin. 11 Nuk do të kalojë në të këmbë njeriu, as këmbë kafshe nuk do të kalojë në të. Për dyzet vjet nuk do të banohet. 12 Do ta shkretoj tokën e Egjiptit mes vendeve të shkretuara. Qytetet e tij do të jenë të rrënuara për dyzet vjet mes qyteteve të shkretuara. Do t’i hapërdaj egjiptianët nëpër kombe e do t’i përhap nëpër vende të tjera.

13 Se kështu thotë Zoti im, Zoti: pas dyzet vjetësh do t’i mbledh egjiptianët prej popujve ku do t’i kem hapërdarë, 14 do t’i kthej në dheun e Patrosit, në dheun e prejardhjes së tyre, dhe do të bëhen aty një mbretëri e vogël. 15 Do të jetë më e vogla ndër mbretëritë dhe nuk do të krekoset më përmbi kombe. Do t’i bëj të vegjël, që të mos sundojnë ndër kombe. 16 Ai nuk do të jetë më siguri për shtëpinë e Izraelit, por kujtesë për fajin e kohës kur u drejtoheshin atyre. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Zoti vetë».

17 Në vitin e shtatëdhjetë e shtatë, në muajin e parë, ditën e parë të atij muaji, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 18 «Bir i njeriut, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e lodhi dhe e kapiti ushtrinë e vet kundër Tirit. Të gjitha kokat janë shogur dhe të gjitha supet janë zhveshur, por nuk kanë marrë shpërblim nga Tiri, as për vete, as për ushtrinë e vet, për mundin që hoqën kundër tij. 19 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do t’ia jap tokën e Egjiptit Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. Ai do t’ia marrë pasurinë dhe do të plaçkisë çfarë ka për të plaçkitur. Ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij. 20 Si shpërblim për mundin që hoqi kundër tij, do t’i jap tokën e Egjiptit, sepse vepruan për mua, kumton Zoti im, Zoti.

21 Atë ditë do t’ia rris fuqinë shtëpisë së Izraelit e do të ta hap gojën mes tyre. Kështu do ta marrin vesh se unë jam Zoti».