Ezekieli 26

Kundër Tirit

Në vitin e njëmbëdhjetë, në ditën e parë të muajit, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, meqë Tiri tha për Jerusalemin: “Sa mirë, u thye porta e popujve, u kthye kah unë! Tani unë do të begatohem, se ajo u shkretua!”, për këtë, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku jam kundër teje, Tir. Do të ngre shumë kombe kundër teje, siç ngre deti dallgët e veta. Do t’i rrënojnë muret e Tirit e do t’ia shembin kullat. Edhe pluhurin do ta fshij prej tij dhe do ta bëj rrasë të zhveshur. Në mes të detit do të bëhet vend për të ndehur rrjetat, sepse unë fola, kumton Zoti im, Zoti. Do të bëhet pre për kombet dhe bijat e saj do të vriten me shpatë nëpër ara. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam ZotiSe kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po sjell nga veriu kundër Tirit Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, karroca e kalorës, me hordhi e me një popull të madh. Do t’i vrasë bijat e tua me shpatë nëpër ara, do të vërë rrethimin kundër teje, do të ngrejë ledh kundër teje dhe do të nxjerrë shqytin kundër teje. Do t’i gjuajë muret e tua me goditjet e deshve të tij dhe me shpatat e tij do t’i shembë kullat e tua. 10 Prej dendurisë së kuajve të tij do të mbulohesh me pluhur. Do të tranden muret e tua prej gjëmimit të kalorësve, të rrotave e të karrocave, kur të hyjë nëpër portat e tua, siç hyhet në qytetin e rënë. 11 Me thundrat e kuajve të tij do t’i shkelë të gjitha rrugicat e tua, do ta vrasë me shpatë popullin tënd dhe do të shemben përdhe shtyllat e fuqisë sate. 12 Do ta përlajnë pasurinë tënde dhe mallin do të ta plaçkisin. Do t’i shembin muret e tua, do t’i rrëzojnë pallatet e tua të hijshme dhe në mes të detit do t’i flakin gurët e tu, drurët dhe pluhurin tënd. 13 Do ta shuaj tingullin e këngëve të tua dhe nuk do të dëgjohet më zëri i lirave të tua. 14 Do të të bëj si shkëmbin e zhveshur. Do të jesh vendi ku ndehen rrjetat. Nuk do të ndërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, kumton Zoti im, Zoti.

15 Kështu thotë Zoti im, Zoti, për Tirin: a nuk do të dridhen ishujt nga fërgëllima e rrëzimit tënd, nga rënkimi i të plagosurve, kur në mesin tënd do të ndodhë theroria? 16 Të gjithë princat e detit do të zbresin nga fronet e veta, do të heqin pelerinat dhe do të zhveshin petkat e larmishme. Do të vishen me drithërima, do të ulen përdhe, do të dridhen çdo çast dhe do të tronditen prej teje. 17 Do t’ia nisin vajit për ty e do të të thonë: si u rrënove, o e banuar me bregdetas, o qytet bujëmadh, i pushtetshëm në det! Ai dhe banorët e tij u shtinin tmerrin të gjithë banorëve të vet. 18 Tani tranden ujdhesat, në ditën e rrëzimit tënd, tremben ishujt e detit në ditën e perëndimit tënd.

19 Se kështu thotë Zoti im, Zoti: pasi të të kem kthyer në një qytet të shkretuar, siç janë qytetet e pabanuara, pasi të kem ngritur kundër teje humnerën dhe të të kenë mbuluar ujërat e rrëmbyeshëm, 20 do të të zbres me ata që zbresin në gropë, drejt një populli të dikurshëm, dhe do të të vendos të banosh në dheun e thellë, në shkretimet e kahershme, me ata që zbresin në gropë, që ti të mos kesh më banorë. Atëherë do të vendos hijeshinë në tokën e të gjallëve. 21 Do të të lë në dorë të tmerrit e nuk do të jesh më. Do të të kërkojnë, por nuk do të gjendesh kurrë më, kumton Zoti im, Zoti».