Ezekieli 22

Fajet e Jerusalemit

Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Po ti, bir i njeriut, a do të gjykosh? A do ta gjykosh qytetin gjakatar? Tregoja, pra, të gjitha pështirësitë e veta. Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: o qytet, që derdh gjak në mesin e vet, me qëllim që t’i vijë koha, dhe bën idhuj, për t’u përdhosur! Për shkak të gjakut që derdhe, u bëre me faj. Për shkak të idhujve që sajove, u përdhose. I shkurtove ditët e tua e t’u sosën vitet. Prandaj do të të bëj tallje për kombet e shpoti për të gjitha vendet. Të afërm e të largët do të të shpotisin, o emërndyrë e rrëmujëmadhe.

Ja, te ti, prijësit e Izraelit, secili sipas fuqisë së vet, janë dhënë pas gjakderdhjes. Ati e nëna përçmohen te ti. Ardhacakun e shtypin në mesin tënd. Jetimin e të venë e mundojnë te ti. Ti i ke përçmuar gjërat e mia të shenjta dhe të shtunat e mia i ke përdhosur. Te ti ka njerëz shpifës që derdhin gjak. Te ti ka dhe nga ata që hanë maleve. Mes teje ka njerëz që bëjnë paudhësi. 10 Te ti kanë zbuluar lakuriqësinë e atit. Edhe gratë e papastra me të përmuajshme i kanë dhunuar te ti. 11 Njëri bën fëlliqësi me gruan e të afërtit, tjetri fëlliqet me të renë e tjetri poshtëron të motrën, bijën e të atit, te ti. 12 Te ti marrin mitë për të derdhur gjak. Ti merr përfitimin e kamatën, shfrytëzon të afërtin me dhunë, ndërsa mua më ke harruar, kumton Zoti im, Zoti.

13 Prandaj, ja, unë tregoj grushtin kundër përfitimeve të tua dhe kundër gjakut që është në mesin tënd. 14 A do të durojë zemra jote dhe a do të jenë të forta duart e tua për ditët që po përgatis për ty? Unë, Zoti, fola e do të veproj. 15 Do të të shpërndaj nëpër kombe e do të të hapërdaj nëpër vende. Do ta zhbij prej teje papastërtinë. 16 Do të përdhosesh në sytë e kombeve, por do ta marrësh vesh se unë jam Zoti».

17 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 18 «Bir i njeriut, shtëpia e Izraelit është bërë mbetje për mua. Të gjithë janë bronz, kallaj, hekur e plumb mes shkritores. Mbetje argjendi janë. 19 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë jeni bërë të gjithë mbetje, unë do t’ju mbledh në mes të Jerusalemit. 20 Siç mblidhen argjendi, bronzi, hekuri, plumbi e kallaji brenda në shkritore e i fryhet zjarrit për t’i shkrirë, kështu do t’ju mbledh unë, me zemërim e hidhërim, e do t’ju hedh për t’ju shkrirë. 21 Do t’ju mbledh, do t’i fryj zjarrit të mërisë sime kundër jush e do t’ju shkrij në të. 22 Siç shkrihet argjendi në shkritore, ashtu do të shkriheni ju mes tij e do ta merrni vesh se unë, Zoti, e derdha zemërimin tim kundër jush».

23 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 24 «Bir i njeriut, thuaji Jerusalemit: ti je tokë e papastruar, e palarë me shi në ditën e furisë. 25 Profetët thurin ligësi mes tij. Si luani ulëritës që e shqyen prenë, ata i përpijnë njerëzit. Rrëmbejnë thesare e gjëra me vlerë, i shumojnë të vejat në mes të tij. 26 Priftërinjtë e tij e dhunojnë ligjin tim dhe i përdhosin gjërat e mia të shenjta. Nuk i dallojnë të shenjtat nga të rëndomtat, nuk tregojnë çfarë është e pastër dhe e papastër, nuk i shohin me sy të shtunat e mia dhe unë jam përdhosur mes tyre. 27 Princat në mesin e tij janë si ujq që shqyejnë prenë, derdhin gjak e rrënojnë jetët për të nxjerrë përfitime. 28 E profetët ua mbulojnë këto me gëlqere, duke parë vegime të rreme, duke bërë për ta parashikime të gënjeshtërta e duke thënë: “Kështu thotë Zoti im, Zoti”, ndërkohë që Zoti nuk kishte folur. 29 Populli i vendit bën mujshi e kryen grabitje. Ngacmojnë skamnorin e nevojtarin, shtypin ardhacakun pa të drejtë. 30 Unë kërkova prej tyre një njeri që të ndërtonte një mur e të qëndronte para meje, tek e çara, për vendin, që të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta. 31 Atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta. U dhashë fund me zjarrin e zemërimit tim. Ua hodha kokës sjelljet e tyre, kumton Zoti im, Zoti».