Ezekieli 20

Kryeneçësia e Izraelit

Në vitin e shtatë, në muajin e pestë, më dhjetë të atij muaji, disa burra prej pleqve të Izraelit erdhën për të pyetur Zotin dhe u ulën kundruall meje. Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, fol me pleqtë e Izraelit e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: a për të më pyetur mua keni ardhur? Pasha jetën time, nuk do të pyetem prej jush, kumton Zoti im, ZotiA do t’i gjykosh ti, o bir i njeriut, a do t’i gjykosh ti? Le t’i marrin vesh pështirësitë e etërve të vet. Thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: kur e zgjodha Izraelin, ngrita dorën dhe iu betova farës së shtëpisë së Jakobit. U bëra i njohur për ta në vendin e Egjiptit. Iu betova e thashë: “Unë jam Zoti, Perëndia juaj”. Atëherë ngrita dorën dhe u betova se do t’i nxirrja nga toka e Egjiptit drejt tokës që kisha zgjedhur për ta, ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ajo është më e bukur se të gjitha tokat. Dhe u thashë: le t’i flakë secili ndyrësitë që mban parasysh e mos u përdhosni me idhujt e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Por ata ngritën krye kundër meje e nuk deshën të dëgjonin. Asnjëri prej tyre nuk i flaku ndyrësitë që mbanin para syve e nuk i braktisën idhujt e Egjiptit. Atëherë thashë: do të zbraz mbi ta zemërimin tim e do ta shteroj hidhërimin tim kundër tyre në mes të dheut të Egjiptit. Megjithatë, veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, mes të cilëve gjendeshin, meqenëse unë isha bërë i njohur para syve të tyre, duke i nxjerrë prej dheut të Egjiptit. 10 Atëherë, i nxora nga dheu i Egjiptit e i çova në shkretëtirë. 11 Pastaj u dhashë rregullat e mia dhe i njoha me vendimet e mia, që njerëzit t’i zbatonin e të jetonin falë tyre. 12 U dhashë edhe të shtunat e mia, si shenjë mes meje e tyre, që ta merrnin vesh se unë, Zoti, i kisha shenjtëruar. 13 Por shtëpia e Izraelit ngriti krye kundër meje në shkretëtirë. Nuk ndoqën rregullat e mia dhe i hodhën poshtë vendimet e mia që njeriu duhet t’i mbajë për të jetuar. Edhe të shtunat e mia i përdhosën fare. Atëherë thashë: do ta zbraz mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë e do t’i zhbij. 14 Megjithatë, veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, se para syve të tyre i kisha nxjerrë. 15 Dhe në shkretëtirë e ngrita dorën e u betova se nuk do t’i çoja në tokën që u kisha dhënë, ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ajo është më e bukur se të gjitha tokat. 16 Shkaku ishte se i kishin përbuzur vendimet e mia, nuk i kishin ndjekur rregullat e mia dhe i kishin përdhosur të shtunat e mia, se zemra e tyre rendte pas idhujve. 17 Por syri im pati mëshirë për ta dhe unë nuk i shkatërrova e nuk i shfarosa në shkretëtirë.

18 Atëherë u thashë fëmijëve të tyre në shkretëtirë: mos u sillni sipas rregullave të etërve tuaj, mos i zbatoni vendimet e tyre e mos u ndyni me idhujt e tyre. 19 Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Ndiqni rregullat e mia, mbajini e zbatojini vendimet e mia. 20 Shenjtërojini të shtunat e mia dhe le të jenë si shenjë mes meje e jush, që të bëhet e ditur se unë jam Zoti, Perëndia juaj. 21 Por bijtë ngritën krye kundër meje, nuk i ndoqën rregullat e mia, nuk i ruajtën e nuk i zbatuan vendimet e mia, që, njeriu që i zbaton, të jetojë falë tyre. Ata e përdhosën të shtunën, prandaj thashë se do ta zbrazja kundër tyre zemërimin tim e do ta shteroja hidhërimin tim ndaj tyre në shkretëtirë. 22 Por e mbajta dorën dhe veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, se para syve të tyre i kisha nxjerrë. 23 Përsëri ngrita dorën në shkretëtirë dhe u betova se do t’i shpërndaja ndër kombe e do t’i përhapja nëpër vende të ndryshme, 24 se nuk kishin zbatuar vendimet e mia dhe kishin flakur rregullat e mia, kishin përdhosur të shtunat e mia dhe i kishin kthyer sytë drejt idhujve të etërve të tyre.

25 Dhe, sërish, unë u dhashë rregulla jo të mira e vendime me të cilat nuk mund të jetonin. 26 I bëra të ndyheshin me kushtimet e veta, me flijimin e të parëlindurve, që t’i tmerroja e ta merrnin vesh se unë jam Zoti.

27 Prandaj, foli shtëpisë së Izraelit, o bir i njeriut, e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: përsëri më fyen etërit tuaj, duke u sjellë me pabesi ndaj meje. 28 Unë i pata sjellë në tokën që isha betuar t’ua jepja, por sapo shihnin ndonjë kodër të lartë apo ndonjë pemë gjethore, aty i kushtonin flitë e tyre, aty i paraqisnin kushtimet ngasëse, aty i vendosnin erërat e këndshme e aty i derdhnin flitë e stërpikjes. 29 Unë u thashë: çfarë është kjo lartësi, tek e cila shkoni? Kështu i mbeti emri lartësi deri më sot.

30 Prandaj, thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: ju po ndyheni sipas mënyrës së etërve tuaj, po kurvëroni me pështirësitë e tyre. 31 Kur kushtoni dhuratat tuaja dhe i shkoni në zjarr bijtë tuaj, ndyheni me idhujt tuaj gjer më sot. A do t’i pranoj pyetjet tuaja, o shtëpia e Izraelit? Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do t’i pranoj pyetjet tuaja. 32 Çfarë ju do shpirti, nuk do të ndodhë, edhe pse ju thoni: do të jemi si kombet, si fiset e vendeve të tjera, që i falen drurit e gurit.

Përtëritja e Izraelit

33 Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krahun shtrirë dhe duke e zbrazur zemërimin. 34 Do t’ju nxjerr nga popujt e do t’ju mbledh prej vendeve ku jeni shpërndarë, me dorë të fortë, me krahun shtrirë e duke e zbrazur zemërimin. 35 Do t’ju çoj në shkretëtirën e popujve e do t’ju gjykoj atje ballë për ballë. 36 Sikurse kam gjykuar etërit tuaj në shkretëtirën e dheut të Egjiptit, ashtu do t’ju gjykoj edhe ju, kumton Zoti im, Zoti37 Do t’ju bëj të kaloni nën shkopin tim e do t’ju vë nën zgjedhën e besëlidhjes. 38 Do t’i spastroj prej jush kryengritësit dhe ata që kryejnë shkelje kundër meje. Do t’i nxjerr prej vendit ku janë ngulur, por nuk do të hyjnë në tokën e Izraelit. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti39 Ndërsa juve, o shtëpia e Izraelit, kështu ju thotë Zoti im, Zoti: të shkojë e t’u falet secili idhujve të vet, por pastaj do ta shohim a do të më dëgjoni. Atëherë nuk do ta përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhuratat e me idhujt tuaj. 40 Se mbi malin tim të shenjtë, mbi malin e lartë të Izraelit, kumton Zoti im, Zoti, atje do të më shërbejë mbarë shtëpia e Izraelit, e tëra në atë vend. Atje do t’i pranoj e atje do t’i kërkoj blatimet dhe kryedhuratat, ndër të gjitha kushtimet tuaja të shenjta. 41 Do t’ju pranoj si erën e këndshme, pasi t’ju kem nxjerrë prej popujve e t’ju kem mbledhur prej vendeve ku ishit shpërndarë. Do të dëftohem i shenjtë mes jush në sytë e kombeve. 42 Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti, kur t’ju sjell në tokën e Izraelit, në tokën për të cilën ngrita dorën e u betova se do t’ua jepja etërve tuaj. 43 Atje do të kujtoni sjelljen tuaj dhe të gjitha bëmat me të cilat qetë ndyrë. Atëherë do t’ju neveritet vetja për të gjitha ligësitë që patët bërë. 44 E do ta merrni vesh se unë jam Zoti, pasi të kem vepruar me ju për hir të emrit tim, jo sipas sjelljeve tuaja të liga dhe sipas veprimeve tuaj të shthurura, o shtëpia i Izraelit, kumton Zoti im, Zoti».