Ezekieli 2

Thirrja e Ezekielit

Ai më tha: «Bir njeriu, qëndro më këmbë e unë do të flas me ty». Pasi më foli, në mua hyri një shpirt e më ngriti më këmbë, ndërsa unë dëgjoja atë që po më fliste. E më tha: «Bir njeriu, unë po të dërgoj te bijtë e Izraelit, te një komb kryeneçësh që ngritën krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre bënë shkelje kundër meje deri sot. Janë bij fytyrëngrysur e zemërgur ata te të cilët po të dërgoj, por ti do t’u thuash: “Kështu thotë Zoti im, Zoti”, si në të dëgjofshin, si në mos të dëgjofshin, sepse janë fis kryeneç, por do ta marrin vesh se unë jam në mesin e tyre.

Ti, bir njeriu, mos ki frikë prej tyre, as prej fjalëve të tyre mos ki frikë, edhe pse do të kesh të bësh me hithra e gjemba e do të banosh me akrepa. Mos ki frikë prej fjalëve të tyre e prej pamjes së tyre mos u tremb, sepse janë fis kryeneç. Ti thuaju fjalët e mia, si në të dëgjofshin, si në mos të dëgjofshin, pasi janë fis kryeneç.

Bir njeriu, dëgjo çfarë po të them unë e mos u bëj kryeneç, porsi ky fis kryeneç. Hap gojën e ha çfarë të jap unë». Unë pashë dhe, ja, drejt meje ishte shtrirë një dorë me një rrotull libri. 10 E shpalosi para meje. Ishte shkruar në të dyja anët. Ishin shkruar në të ankime, vajtim e mjerim.