Ezekieli 19

Vajtim për prijësit e Judës

Tani ti lësho vajtimin për prijësit e Izraelit e thuaj:

«Çfarë ishte nëna jote?

Luaneshë mes luanësh ulur.

Mes këlyshëve të luanëve

këlyshët e vet i mëkonte.

Njërin prej këlyshëve e rriti

e ai u bë luan.

Mësoi të zinte prenë

e njerëz përpiu.

Por kombet dëgjuan për të

e në gropën e tyre u zu,

pastaj me vargonj e çuan

në dheun e Egjiptit.

Kur ajo pa se po priste

e po shpresonte më kot,

mori një tjetër këlysh

dhe e bëri luan.

Ai endej ndër luanë,

kur u bë luan,

mësoi të zinte pre

e njerëz përpiu.

Shkoi me të vejat,

qytetet rrënoi,

vendi e gjithë ç’kish në të

prej ulërimës së tij tronditej.

Pastaj e sulmuan kombet

nga krahinat përreth,

rrjetën mbi të e hodhën

e ra në gropën e tyre.

Me pranga e shtinë në kafaz,

mbretit të Babilonisë ia çuan,

brenda në burg e ndrynë,

që në malet e Izraelit

zëri më të mos i ndihej.

10 Nëna jote porsi hardhi

mbjellë buzë ujit,

plot fryte e kurorëplotë

falë ujit të shumtë.

11 Degët të forta i kishte

për skeptra mbretërish,

spikaste shtati i saj

në mes të degëzimeve,

binte në sy, se ishte e lartë,

se degët të begata i kishte.

12 Por me zemërim u shkul,

përdhe u përplas,

ia thau frytet era e lindjes,

u këputën e u thanë

dhe trungun e fortë

zjarri e përpiu.

13 E tani është mbjellë në shkretëtirë,

në një tokë të thatë e të etur.

14 Një zjarr doli nga një degë e saj,

filizat e frytin ia dogji,

s’ka mbetur në të një filiz i fortë

për skeptër sundimtari».

Ky është vajtim e duhet të shërbejë si vajtim.