Ezekieli 18

Drejtësia e Perëndisë

Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Çfarë keni që thoni në dheun e Izraelit këtë thënie: “Rrushin e thartë e hëngrën etërit, por dhëmbët iu mpinë bijve”? Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do ta thoni kurrë më këtë thënie në Izrael. Ja, të gjithë shpirtrat më përkasin mua. Mua më përket si jeta e atit, ashtu edhe jeta e birit. Ai që do të mëkatojë, ai edhe do të vdesë.

Nëse një njeri është i drejtë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, nëse nuk ha mbi male dhe nuk i ngre sytë drejt idhujve të shtëpisë së Izraelit, nëse nuk e fëlliq gruan e të afërtit e nuk i afrohet asnjë gruaje me të përmuajshme, nëse nuk i bën trysni askujt, por ia kthen pengun detyruesit, nëse nuk plaçkit, por i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, nëse nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitim, por zbaton drejtësinë e vërtetë mes njerëzve, ndjek vendimet e mia dhe vepron me besnikëri, ai është i drejtë e do të jetojë, kumton Zoti im, Zoti.

10 Por, nëse i lind djali mujshar e gjakderdhës, që kryen ndonjë veprim të tillë, 11 ndonëse ai vetë nuk kishte bërë asnjë nga këto, i biri, për më tepër, ha mbi male, fëlliq gruan e të afërtit, 12 i bën trysni skamnorit e nevojtarit, plaçkit, nuk e kthen pengun, i ngre sytë drejt idhujve, kryen pështirësi, 13 jep hua me kamatë dhe merr përfitimin, a do të jetojë vallë i biri? Ai nuk do të jetojë. I bëri të gjitha këto pështirësi, do të vdesë patjetër e gjaku i vet do të bjerë mbi të.

14 Por, nëse i lind një djalë, i cili sheh të gjitha mëkatet që ka bërë i ati, i sheh, por nuk vepron njësoj, 15 nuk ha mbi male, nuk i ngre sytë drejt idhujve të Izraelit, nuk e fëlliq gruan e të afërtit, 16 nuk bën trysni, nuk e mban pengun, nuk plaçkit, i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, 17 heq dorë nga paudhësia, nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitimin, zbaton vendimet e mia dhe ndjek rregullat e mia, ai nuk do të vdesë për faj të të atit, por do të jetojë patjetër. 18 Ndërsa i ati që e ka zhvatur e vjedhur vëllanë dhe ka bërë çfarë nuk është e mirë mes popullit të vet, ja, ai do të vdesë për faj të vet.

19 Ju thoni: “Pse nuk e mbart biri fajin e të atit?”. Sepse i biri zbaton të drejtën e drejtësinë, mban të gjitha rregullat e mia dhe i zbaton, prandaj do të jetojë. 20 Shpirti që mëkaton, ai do të vdesë. Biri nuk do të mbajë fajin e të atit, as ati fajin e të birit. Mbi të drejtin do të mbetet drejtësia dhe mbi të ligun do të mbetet ligësia.

21 Por, nëse i paudhi heq dorë nga të gjitha mëkatet që ka bërë, mban të gjitha rregullat e mia dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. 22 Nuk do t’i kujtohet më asnjë shkelje që ka bërë, por do të jetojë në saje të drejtësisë që ka zbatuar. 23 A kënaqem unë me vdekjen e të paudhit, kumton Zoti im, Zoti, apo që ai të heqë dorë nga sjellja e tij e të jetojë? 24 Por, nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, si të gjitha pështirësitë që bën i paudhi, a do të jetojë vallë ai? Asnjë gjë e drejtë që pati bërë nuk do t’i mbahet mend, por për shkak të pabesisë që kreu e të mëkatit që bëri, ai do të vdesë.

25 Ju thoni: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Dëgjoni, pra, o shtëpia e Izraelit: nuk është e drejtë sjellja ime apo nuk është e drejtë sjellja juaj? 26 Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. Për shkak të padrejtësisë që bëri do të vdesë. 27 Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia që ka bërë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, shpirti i tij do të jetojë. 28 E vuri re, u largua nga të gjitha shkeljet që kishte kryer, prandaj do të jetojë e nuk do të vdesë. 29 Por shtëpia e Izraelit thotë: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Nuk është e drejtë sjellja ime, o shtëpia e Izraelit, apo nuk është e drejtë sjellja juaj?

30 Prandaj do ta gjykoj secilin sipas sjelljes së vet, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti im, Zoti. Hiqni dorë e kthehuni nga të gjitha shkeljet tuaja e nuk do t’ju pengojë më faji juaj. 31 Shporrini prej jush të gjitha shkeljet që keni bërë dhe bëni një zemër të re e një shpirt të ri. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? 32 Unë nuk kënaqem me vdekjen e askujt, kumton Zoti im, Zoti, prandaj pendohuni e jetoni».