Ezekieli 14

Disa burra prej pleqve të Izraelit erdhën tek unë dhe u ulën kundruall meje. Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, këta burra i kanë për zemër idhujt e vet dhe e mbajnë para vetes një shkas për të mëkatuar me ligësi. Mos vallë duhet të më këshillojnë ata? Prandaj fol me ta e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: kushdo nga shtëpia e Izraelit që i ka për zemër idhujt e vet dhe e mban para vetes një shkas për të mëkatuar me ligësi, por do të paraqitet te profeti, unë, Zoti, do t’i përgjigjem, kur të vijë me turmën e idhujve të vet, e kështu t’i rrëmbej zemrën shtëpisë së Izraelit, të cilët m’u tëhuajtën të gjithë, për shkak të idhujve të vet.

Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: pendohuni e kthehuni prej idhujve tuaj. Hiqini sytë nga të gjitha pështirësitë tuaja, sepse unë vetë, Zoti, do t’i përgjigjem kujtdo nga shtëpia e Izraelit dhe nga të huajt që banojnë në Izrael, kujtdo që ndahet nga unë dhe merr për zemër idhujt e vet, që mban para vetes një shkas për të mëkatuar me ligësi dhe vjen te profeti për t’u këshilluar me mua. Do ta kthej fytyrën kundër atij njeriu e do ta bëj shembull e përrallë. Do ta zhbij nga populli im e do ta merrni vesh se unë jam Zoti.

Nëse profeti gënjehet e flet ndonjë fjalë, atë profet e kam gënjyer unë, Zoti. Do të shtrij dorën kundër tij e do ta zhduk nga mesi i popullit tim Izraelit. 10 Ata do të ngarkohen me fajin e vet dhe si faji i pyetësit do të jetë edhe faji i profetit, 11 që shtëpia e Izraelit të mos përendet më larg meje, që të mos fëlliqen më me të gjitha shkeljet e veta, por ata të jenë populli im dhe unë të jem Perëndia i tyre, kumton Zoti im, Zoti».

Gjykimi i pashmangshëm

12 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 13 «Bir i njeriut, nëse një tokë mëkaton kundër meje dhe bën tradhti, unë ngre dorë kundër saj dhe ia thyej enën e bukës, i dërgoj zinë e bukës dhe zhbij prej saj njerëz e kafshë. 14 Do të gjenden këta tre burra në të: Noeu, Danieli e Jobi, por ata do ta shpëtojnë jetën e vet falë drejtësisë, kumton Zoti im, Zoti.

15 Nëse dërgoj egërsira për ta përshkuar tokën e ajo do të bëhet shterpë dhe e shkretë, sa të jetë e papërshkueshme për shkak të kafshëve, 16 edhe po të gjenden në të këta tre burra, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat. Do të shpëtonin vetëm ata, por toka do të mbetej e shkretë.

17 Ose, nëse çoj shpatën kundër asaj toke e them: “Le ta përshkojë shpata tokën, që të zhdukë prej saj njerëz e kafshë”, 18 edhe po të gjenden në të këta tre burra, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat. Do të shpëtonin vetëm ata.

19 Ose, nëse çoj murtajën kundër asaj tokë dhe e zbraz zemërimin tim kundër saj me gjak, duke zhdukur prej saj njerëz e kafshë, 20 edhe po të gjenden në të Noeu, Danieli e Jobi, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat. Do të shpëtonin vetëm ata, falë drejtësisë së tyre.

21 Se kështu thotë Zoti im, Zoti: edhe nëse dërgoj kundër Jerusalemit katër gjykimet e kobshme: shpatën, zinë e bukës, kafshët e egra dhe murtajën, për të zhbirë njerëz e kafshë, 22 ja, në të do të mbetet një tepricë. Disa bij e bija do të nxirren përjashta. Do të dalin drejt jush e ju do të shihni sjelljen dhe veprat e tyre. Atëherë do të ngushëlloheni për kobin që dërgova kundër Jerusalemit, për gjithçka pata dërguar kundër tij. 23 Ata do t’ju ngushëllojnë kur të shihni sjelljen dhe veprat e tyre dhe do ta merrni vesh se nuk e kam bërë kot çfarë kam bërë kundër tij, kumton Zoti im, Zoti».