Ezekieli 10

Tempulli mbetet i shkretë

Pashë dhe, ja, mbi kubenë që gjendej përmbi kokën e kerubëve ishte një si gur safiri, ndërsa sipër tyre shfaqej trajta e një froni. Ai i foli njeriut të veshur me li e i tha: «Hyr ndërmjet rrotave që janë nën kerubët, mbushe pëllëmbën e dorës me thëngjijtë e ndezur mes kerubëve dhe hidhi mbi qytet». Ai shkoi para syve të mi. Kur shkoi ai burrë, ndërsa kerubët qëndronin në të djathtë të tempullit, një re e mbushi tremen e brendshme. Lavdia e Zotit u ngrit përmbi kerubin, në drejtim të pragut të tempullit, dhe tempulli u mbush me atë re, ndërsa tremja u mbush me shkëlqimin e lavdisë së ZotitFërfëllima e krahëve të kerubëve u dëgjua deri në tremen e jashtme, porsi zëri i të gjithëpushtetshmit, kur ai flet. Pasi e kishte urdhëruar burrin e veshur me li të merrte zjarrin nga mesi i rrotave që ishin ndër kerubë, shkoi e u ndal pranë rrotës. Njëri prej kerubëve shtriu dorën drejt zjarrit mes kerubëve. E mori dhe ia dha burrit të veshur me li. Ai e mori e doli. Atëherë, nën krahët e kerubëve, u shfaq trajta e një dore njeriu. Pashë dhe, ja, pranë kerubëve gjendeshin katër rrota, nga një pranë secilit kerub. Pamja e rrotave dukej si gur topazi. 10 Dukej se të katra kishin të njëjtën trajtë, si të ishte një rrotë brenda rrotës. 11 Kur lëviznin, lëviznin në të katër drejtimet. Kur lëviznin nuk ktheheshin, sepse lëviznin në drejtimin nga kthehej koka, pas saj. Lëviznin e nuk ktheheshin kur lëviznin. 12 Tërë trupi i tyre, shpina, duart, krahët e rrotat ishin plot me sy përreth, që të katra rrotat. 13 Për rrotat dëgjova se quheshin rrotullore. 14 Çdonjëri kishte katër fytyra: e para fytyrë kerubi, e dyta fytyrë njeriu, e treta fytyrë luani dhe e katërta fytyrë shqiponje. 15 Atëherë kerubët u ngritën. Ishin gjallesat që kisha parë buzë lumit Kebar. 16 Kur lëviznin kerubët, edhe rrotat lëviznin bri tyre. Kur kerubët hapnin krahët për t’u ngritur nga toka, rrotat nuk largoheshin prej tyre. 17 Kur ata ndaleshin, edhe rrotat ndaleshin. Kur ngriheshin, edhe rrotat ngriheshin me ta, sepse shpirti i gjallesave ishte në ta. 18 Atëherë lavdia e Zotit doli nga pragu i tempullit e u ndal mbi kerubët. 19 Kerubët hapën krahët dhe u ngritën nga toka para syve të mi. Edhe rrotat bri tyre dolën. U ndalën te hyrja e portës lindore të tempullit të Zotit dhe lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte mbi ta. 20 Këto ishin të njëjtat gjallesa që kisha parë nën Perëndinë e Izraelit buzë lumit Kebar. E mora vesh se ata ishin kerubët. 21 Secili kishte katër fytyra, secili kishte katër krahë dhe poshtë krahëve trajtën e një dore njeriu. 22 Trajta e fytyrës së tyre ishte pamja që kisha parë buzë lumit Kebar. Secili ecte drejt para vetes.