Estera 9

Fundi i armiqve

Në muajin e dymbëdhjetë, domethënë në muajin Adar, më trembëdhjetë të atij muaji, kur do të zbatoheshin urdhri i mbretit dhe ligji i tij, ditën kur armiqtë e judenjve shpresonin të sundonin mbi ta, ndodhi e kundërta, judenjtë sunduan mbi urryesit e vet. Judenjtë u mblodhën në qytetet e veta, në të gjitha krahinat e mbretit Kserks, për të vënë dorë mbi ata që synonin t’u bënin ligësi. Askush nuk u bëri dot ballë, sepse të gjithë popujt kishin frikë prej tyre. Të gjithë krerët e krahinave, satrapët, qeveritarët e zbatuesit e punëve të mbretit i ndihmonin judenjtë, sepse i kishte zënë frika nga Mordakai. Mordakai ishte i rëndësishëm në shtëpinë e mbretit dhe për të dëgjohej në të gjitha krahinat. Mordakai u bë gjithnjë e më i rëndësishëm.

Judenjtë i goditën të gjithë armiqtë, i shkuan në shpatë, i therën, i shfarosën e bënë çfarë deshën me urryesit e vet. Judenjtë vranë e shfarosën në kështjellën e Shushanit pesëqind burra. Vranë edhe Parshandatën, Dalfonin, Aspatën, Poratën, Adaljanë, Artidatanë, Parmashtanë, Arisajin, Aridajin, Vajzatain, 10 dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamdatait, përndjekësit të judenjve, por nuk vunë dorë në plaçkë. 11 Po atë ditë mbreti, në kështjellën e Shushanit, u njoftua për numrin e të vrarëve. 12 Mbreti i tha mbretëreshës Ester: «Judenjtë kanë vrarë e shfarosur pesëqind burra, si dhe dhjetë djemtë e Hamanit në kështjellën e Shushanit. Po në krahinat e tjera të mbretit çfarë kanë bërë? Cila është kërkesa jote, se do të të plotësohet». 13 Atëherë Estera tha: «Nëse i pëlqen mbretit, judenjtë që gjenden në Shushan, le të veprojnë edhe nesër sipas ligjit të sotëm e le të varen në shtyllë dhjetë bijtë e Hamanit». 14 Mbreti urdhëroi të veprohej ashtu. Ligji u shpall në Shushan dhe dhjetë bijtë e Hamanit i varën. 15 Judenjtë që gjendeshin në Shushan u mblodhën edhe në ditën e katërmbëdhjetë të muajit Adar e vranë treqind burra në Shushan, por në plaçkë nuk vunë dorë. 16 Judenjtë e tjerë që gjendeshin në krahinat e mbretit, u mblodhën për t’u mbrojtur, u strehuan prej armiqve e vranë shtatëdhjetë e pesë mijë urryes të tyre, por në plaçkë nuk vunë dorë. 17 Ishte dita e trembëdhjetë e muajit Adar. Ditën e katërmbëdhjetë pushuan dhe e caktuan ditë gostie e hareje. 18 Judenjtë e Shushanit u mblodhën ditën e trembëdhjetë dhe ditën e katërmbëdhjetë, ndërsa më pesëmbëdhjetë pushuan dhe e caktuan ditë gostie e hareje. 19 Për këtë arsye judenjtë e fshatrave, që jetojnë në qytete pa mure, e kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit Adar si ditë gëzimi, gostie e feste dhe shkëmbejnë dhurata me njëri-tjetrin.

20 Mordakai i shkroi këto ndodhi dhe u dërgoi letra të gjithë judenjve, që gjendeshin në të gjitha krahinat e afërta e të largëta të mbretit Kserks, 21 për t’i urdhëruar të mbanin vit pas viti ditën e katërmbëdhjetë e të pesëmbëdhjetë të muajit Adar, 22 si ditë në të cilat judenjtë shpëtuan nga armiqtë dhe si muajin në të cilin pikëllimi i tyre u kthye në gëzim e zija në festë, që t’i mbanin si ditë gostie e hareje, ditë në të cilat ndajnë ushqimin me njëri-tjetrin e u japin dhurata të varfërve. 23 Atëherë judenjtë e pranuan këtë që kishin filluar të bënin, siç u kishte shkruar Mordakai, 24 se Hamani, biri i Hamdata Agagitit, përndjekësi i të gjithë judenjve, kishte menduar t’i shfaroste judenjtë dhe kishte hedhur Pur, domethënë short, për t’i pështjelluar e për t’i rrënuar, 25 por, kur Estera ishte paraqitur para mbretit, ai kishte urdhëruar me shkrim që shestimi i lig i Hamanit kundër judenjve të kthehej e t’i binte kokës e që ai e bijtë e tij të vareshin në shtyllë.

26 Për këtë arsye këto ditë quhen Purim, nga emri Pur. Për shkak të gjithë çfarë ishte shkruar në letër, për çfarë kishin përjetuar si rrjedhojë e kësaj e për gjërat që u kishin ndodhur, 27 judenjtë vendosën dhe caktuan t’i mbanin këto dy ditë për vete, për pasardhësit e tyre e për të gjithë sa do të bashkoheshin me ta, pa e lënë pas dore mbajtjen e këtyre dy ditëve, siç kishin shkruar e caktuar, vit pas viti. 28 Këto ditë kujtohen e kremtohen brez pas brezi, në çdo familje, krahinë e qytet. Judenjtë nuk duhet t’i harrojnë këto ditë Purimi. Kujtimi i tyre nuk do të shuhet ndër pasardhësit e tyre.

29 Mbretëresha Ester, bija e Abihajlës, dhe judeu Mordakai shkruan me pushtet të plotë, për ta vënë në fuqi këtë letër të dytë në lidhje me Purimin. 30 Letrat iu dërguan të gjithë judenjve në të njëqind e njëzet e shtatë krahinat e mbretërisë së Kserksit, me fjalë paqësore e të sinqerta, 31 për t’i caktuar këto ditë Purimi në kohën e duhur, siç i kishin caktuar për ta judeu Mordakai dhe mbretëresha Ester dhe siç i kishin caktuar për vete e për pasardhësit e vet në lidhje me agjërimin e vajtimin. 32 Urdhri i Esterës vendosi hollësitë në lidhje me Purimin. Ato u shkruan në një libër.