Estera 8

Atë ditë mbreti Kserks i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit, përndjekësit të judenjve. Mordakai doli para mbretit, sepse Estera i kishte treguar se çfarë e kishte. Atëherë mbreti hoqi unazën, që i kishte marrë Hamanit, e ia dha Mordakait. Pastaj Estera e caktoi Mordakain zot të shtëpisë së Hamanit.

Estera doli për të folur përsëri para mbretit, ra te këmbët e tij, qau dhe i kërkoi të shmangej ligësia e Haman Agagitit e shestimi i tij kundër judenjve. Mbreti shtriu drejt Esterës skeptrin e artë dhe Estera u ngrit, qëndroi para mbretit e tha: «Nëse i pëlqen mbretit, nëse kam gjetur hir para tij, nëse i duket gjë e përshtatshme mbretit e nëse unë i dukem e pranueshme, le të shkruhet një letër për të kthyer mbrapsht letrat me shestimet e Haman Agagitit, birit të Hamdatait, që ai i ka shkruar për të rrënuar judenjtë e të gjitha krahinave të mbretit. Sepse, si do të mund të duroj e ta shoh zezonën që do t’i bjerë popullin tim? Si do të duroj e ta shoh rrënimin e fisit tim?».

Mbreti Kserks iu përgjigj mbretëreshës Ester dhe judeut Mordakai: «Ja, shtëpinë e Hamanit ia dhashë Esterës dhe atë e vara në shtyllë, sepse ngriti dorë kundër judenjve. Shkruani për judenjtë si t’ju pëlqejë, në emër të mbretit, dhe vulosni me unazën e mbretit, sepse çfarë shkruhet në emër të mbretit dhe vuloset me unazën e mbretit nuk mund të kthehet mbrapsht». Në atë kohë, më njëzet e tre të muajit të tretë, që është muaji Sivan, thirrën shkruesit e mbretit sipas të gjitha urdhrave të Mordakait. Ata u shkruan judenjve, satrapëve, qeveritarëve dhe kryetarëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, nga India në Kush, secilës krahinë sipas shkrimit të vet dhe secilit popull sipas gjuhës së vet, si edhe judenjve sipas shkrimit të vet dhe sipas gjuhës së vet. 10 Letrat u shkruan në emër të mbretit Kserks, u vulosën me unazën e mbretit dhe u dërguan me anë të lajmëtarëve që kalëronin kuajt e mbretit, kuaj race. 11 Kështu, mbreti i lejoi judenjtë në të gjitha qytetet të mblidheshin e të mbronin jetën e vet, të shkatërronin, të vrisnin e të rrënonin çdo ushtri armike të çdo populli apo krahine që do t’i sulmonte, me foshnja e me gra, si dhe t’i plaçkitnin e t’i grabitnin 12 në një ditë të vetme të gjitha krahinat e mbretit Kserks, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji Adar. 13 Një kopje e shkresës, që duhej paraqitur si ligj në çdo krahinë, iu dëftua të gjithë popujve, që judenjtë të ishin të gatshëm atë ditë për t’u hakmarrë me armiqtë. 14 Lajmëtarët, që kalëronin kuajt mbretërorë, dolën me nxitim dhe rendën sipas urdhrit të mbretit. Ligji u shpall në kështjellën e Shushanit.

15 Atëherë Mordakai u largua nga mbreti me veshje mbretërore vjollcë e të bardha, me kurorë të artë e të madhe e me një petk liri e purpuri. Qyteti i Shushanit brohoriti e u gëzua. 16 Judenjtë u mbushën me dritë, gëzim, hare e nderim. 17 Në çdo krahinë e në çdo qytet, kudo që arrinte urdhri i mbretit e ligji i tij, për judenjtë ishte gëzim e hare, gosti e ditë e lume. Shumë nga popujt e tokës u bënë judenj, se i kishte zënë frika nga judenjtë.