Estera 7

Fundi i Hamanit

Hamani dhe mbreti shkuan në gostinë e mbretëreshës Ester. Edhe ditën e dytë, kur po pihej verë, mbreti i tha Esterës: «Cila është kërkesa jote, mbretëresha Ester, se do të të plotësohet? Çfarë dëshire ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet». Mbretëresha Ester u përgjigj: «Nëse kam gjetur hir para syve të tu, o mbret, e nëse i pëlqen mbretit, le të më falet jeta mua, sipas lutjes sime, e popullit tim, sipas kërkesës sime, sepse unë dhe populli im jemi shitur për t’u shfarosur, për t’u vrarë e për t’u rrënuar. Po të ishim shitur për t’u bërë skllevër e skllave, do të kisha heshtur, se s’do të ishte brengë për të trazuar mbretin». Atëherë mbreti Kserks i tha mbretëreshës Ester: «Kush është e ku është ai që ia bën zemra të veprojë kështu?». Estera u përgjigj: «Një njeri kundërshtar e armik, Hamani i lig». Hamani u tmerrua para mbretit e mbretëreshës. Mbreti e la verën, u ngrit i zemëruar e doli në kopshtin e pallatit, ndërsa Hamani ndenji për t’iu lutur mbretëreshës Ester që t’i falej jeta, sepse e pa se, nga ana e mbretit, ishte marrë vendimi për ta ndëshkuar. Pastaj mbreti u kthye nga kopshti i pallatit në dhomën e gostisë e Hamani ra në divanin ku gjendej Estera. Atëherë mbreti tha: «Edhe mbretëreshën do ta dhunojë ky, me mua në shtëpi?». Sapo doli fjala nga goja e mbretit, Hamanit ia mbuluan fytyrën. Harbonai, njëri nga eunukët, tha në praninë e mbretit: «Ja, Hamani ka ngritur edhe një shtyllë njëzet e pesë metra të lartë për Mordakain, i cili foli mirë për mbretin. Është në shtëpinë e Hamanit». Mbreti tha: «Vareni në të!». 10 Atëherë e varën Hamanin në shtyllën që kishte përgatitur për Mordakain dhe mbretit i ra zemërimi.