Estera 4

Estera mbron popullin e vet

Mordakai, pasi mori vesh se çfarë kishte ndodhur, shqeu rrobat, u mbështoll me grathore e me hi, doli në mes të qytetit dhe lëshoi një britmë hidhërimi. Por, te porta e mbretit u ndal, sepse kush ishte i veshur me grathore nuk mund ta kapërcente portën e mbretit. Në të gjitha krahinat, kudo që u shpall urdhri dhe ligji i mbretit, judenjtë bënë gjëmë të madhe, agjëruan, qanë, vajtuan, u veshën me grathore dhe shumë fjetën mbi hi. Kur shërbëtoret e Esterës dhe eunukët erdhën e i treguan, mbretëresha u trishtua shumë. Ajo i dërgoi Mordakait rroba, që të vishej e të hiqte grathoren, por ai nuk pranoi. Pastaj Estera thirri Hatakun, njërin nga eunukët, që mbreti ia kishte vënë në gatishmëri, dhe e urdhëroi të shkonte te Mordakai për të marrë vesh ç’kishte ndodhur dhe pse po sillej ashtu. Hataku shkoi te Mordakai, te sheshi i qytetit, përballë portës së mbretit. Mordakai i tregoi çfarë i kishte ndodhur, si dhe për sasinë e argjendit që Hamani kishte thënë se do të derdhte në thesarin e mbretit për rrënimin e judenjve. I dha edhe kopjen e ligjit të shkruar, që kishte dalë në Shushan për shfarosjen e tyre, që t’ia dëftonte Esterës, ta njoftonte e ta urdhëronte të shkonte te mbreti, për t’i kërkuar hir e për t’iu lutur për popullin e vet. Hataku shkoi e i tregoi Esterës fjalët e Mordakait. 10 Atëherë Estera e urdhëroi Hatakun t’i thoshte Mordakait: 11 «Të gjithë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e di se për çdo burrë a grua që shkon te mbreti përmes oborrit të brendshëm pa u thirrur, ka vetëm një ligj, dënim me vdekje, përveç atij mbi të cilin mbreti vendos skeptrin e artë që të mbetet gjallë. Edhe unë vetë kam tridhjetë ditë që nuk jam thirrur të shkoj te mbreti». 12 Fjalët e Esterës ia treguan Mordakait 13 dhe ai ktheu këtë përgjigje: «Mos të të shkojë ndër mend se do të shpëtosh vetëm ti nga të gjithë judenjtë në pallatin mbretëror. 14 Sepse, nëse do të heshtësh tani, judenjve do t’u vijë shpëtimi e liria prej tjetërkund, ndërsa ti e shtëpia e atit tënd do të rrënoheni. Kush e di, ndoshta, u bëre mbretëreshë pikërisht për një kohë si kjo?». 15 Estera i ktheu këtë përgjigje Mordakait: 16 «Shko, mblidh të gjithë judenjtë që gjenden në Shushan e agjëroni për mua. Mos hani as mos pini për tri ditë, natë e ditë. Edhe unë e shërbëtoret e mia do të agjërojmë njësoj. Kështu do të hyj te mbreti kundër ligjit edhe në marrsha fund. 17 Atëherë Mordakai shkoi e bëri gjithçka i urdhëroi Estera».