Estera 3

Hamani dhe judenjtë

Pas këtyre ngjarjeve, mbreti Kserks e bëri të rëndësishëm Hamanin, birin e Hamdata Agagitit, e lartësoi dhe ia vuri fronin mbi të gjithë princat që kishte me vete. Të gjithë shërbëtorët e mbretit, që rrinin te porta e mbretit, binin në gjunjë e përkuleshin para Hamanit, se kështu kishte urdhëruar mbreti të silleshin me të. Por, Mordakai as binte në gjunjë, as përkulej.

Shërbëtorët e mbretit, që rrinin te porta e mbretit, e pyetën Mordakain: «Pse e shkel ti urdhrin e mbretit?». Por ai, edhe pse e pyesnin ditë për ditë, nuk ua vinte veshin. Atëherë ata i treguan Hamanit, për të parë a do të dilte fjala e Mordakait që u kishte treguar se ishte jude. Hamani vuri re se Mordakai as gjunjëzohej, as përkulej para tij dhe u mbush me zemërim. Megjithatë, iu duk gjë e vogël të vinte dorë vetëm mbi Mordakain, prandaj, meqë i kishin treguar se cilit popull i përkiste, Hamani kërkoi të shfaroste të gjithë judenjtë, popullin e Mordakait, që gjendej në mbarë mbretërinë e Kserksit.

Në muajin e parë, që është muaji Nisan, në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Kserks, u hodh Pur, domethënë short, para Hamanit, ditë për ditë e muaj për muaj, deri në muajin e dymbëdhjetë që është muaji Adar. Atëherë Hamani i tha mbretit Kserks: «Ndër popujt e mbarë krahinave të mbretërisë sate është përhapur një popull i veçantë që ligjet i ka ndryshe nga të gjithë popujt. Ata nuk i zbatojnë ligjet e mbretit, prandaj nuk është në dobi të mbretit t’i durojë. Po t’i pëlqejë mbretit, le të jepet urdhër me shkrim për t’i shfarosur e unë do t’u dorëzoj nëpunësve dhjetë mijë sikla argjendi, për t’i shtënë në thesaret e mbretit». 10 Atëherë mbreti hoqi unazën nga dora, ia dha Hamanit, birit të Hamdata Agagitit, armikut të judenjve 11 e i tha: «Argjendin mbaje për vete e me popullin bëj ç’të duash». 12 Në ditën e trembëdhjetë të muajit të parë u thirrën shkruesit mbretërorë dhe, sipas urdhrave të Hamanit, u shkruan të gjithë satrapëve të mbretit, qeveritarëve të çdo krahine e princave të çdo populli, secilës krahinë me shkrimin e vet dhe secilit popull në gjuhën e vet. U shkrua në emër të mbretit Kserks dhe u vulos me unazën e mbretit. 13 Letrat iu dërguan të gjitha krahinave të mbretit, me anë të lajmëtarëve, për të shfarosur, për të vrarë e për të rrënuar të gjithë judenjtë, nga më i riu te më i vjetri, me fëmijë e gra, në një ditë të vetme, në ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji Adar, e për t’ua plaçkitur pasurinë. 14 Një kopje e letrës i duhej dhënë si ligj çdo krahine për ta njoftuar popullin që të gjendej i gatshëm për këtë ditë. 15 Lajmëtarët u nisën me vrap, sipas urdhrit të mbretit, dhe lajmi u shpall në kështjellën e Shushanit. Atëherë mbreti e Hamani u ulën të pinin, por qyteti i Shushanit u pështjellua.