Ezra 8

Të mërguarit që u kthyen

Këta janë krerët e vëllazërive me breznitë e tyre që u nisën me mua nga Babilonia gjatë mbretërimit të Artakserksit: nga bijtë e Finehasit, Gershomi; nga bijtë e Itamarit, Danieli; nga bijtë e Davidit, Hatushi; nga bijtë e Shekanjahut, bijtë e Faroshit, Zakaria e me të njëqind e pesëdhjetë meshkuj të regjistruar; nga bijtë e Pahat Moabit, Eliehoenai, biri i Zerahjahut dhe dyqind meshkuj me të; nga bijtë e Shekanjahut, bijtë e Jahazielit dhe treqind meshkuj me të; nga bijtë e Adinit, Ebedi, biri i Jonatanit dhe pesëdhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Elamit, Jeshajahu, biri i Ataljahut dhe shtatëdhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Shefatjahut, Zebadjah, biri i Mikaelit dhe tetëdhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Joabit, Abdia, biri i Jehielit, dhe dyqind e tetëmbëdhjetë meshkujt me të; 10 nga bijtë e Shelomotit, biri i Josifjahut dhe njëqind e gjashtëdhjetë meshkuj me të; 11 nga bijtë e Bebait, Zakaria, biri i Bebait, dhe njëzet e tetë meshkuj me të; 12 nga bijtë e Azgadit, Johanani, biri i Hakatanit dhe njëqind e dhjetë meshkuj me të; 13 nga bijtë e Adonikamit, që erdhën të fundit, emrat i kishin Elifelet, Jejel dhe Shemajah, bashkë me gjashtëdhjetë meshkuj; 14 dhe nga bijtë e Bigvait, Utai dhe Zabudi, si edhe shtatëdhjetë meshkuj me të.

Shpallja e agjërimit

15 Unë i mblodha këta pranë lumit që rrjedh drejt Ahavës e qëndruam aty tri ditë. Këqyra me kujdes popullin dhe gjeta priftërinj, por nuk gjeta asnjë levit. 16 Atëherë thirra krerët Eliezer, Ariel, Shemajah, Elnatan, Jarib, Elnatan, Natan, Zakari dhe Meshulam, si edhe mësuesit Jojarib e Elnatan, 17 dhe i urdhërova të shkonin tek Idoi, i pari i vendit të Kasifisë, e u thashë fjalët që duhej t’i thoshin Idoit dhe vëllezërve të tij, të cilët ishin shërbestarë të tempullit e jetonin në vendin e Kasifisë, që të dërgonin shërbestarë për tempullin e Perëndisë. 18 Meqenëse dora mirëbërëse e Perëndisë sonë ishte me ne, na dërguan një njeri të mençur, Sherebiahun, një prej bijve të Mahliut, të birit të Levit, pasardhës të Izraelit, bashkë me bijtë dhe vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë. 19 Dërguan edhe Hashabiahun bashkë me Jeshajahun, një nga bijtë e Merarit, bashkë me vëllezërit dhe me bijtë e tyre, gjithsej njëzet. 20 Prej shërbëtorëve të tempullit, që kishte caktuar Davidi dhe zyrtarët e tij për të ndihmuar levitët, na dërguan dyqind e njëzet, të gjithë të caktuar me emër. 21 Atje, pranë lumit Ahavë, shpalla agjërimin, që të përuleshim para Perëndisë tonë dhe t’i kërkonim mbarësi për udhëtimin tonë, për fëmijët tanë dhe për gjithçka që zotëronim. 22 Më kishte ardhur turp t’i kërkoja mbretit ushtarë e kalorës për të na mbrojtur udhës nga armiku. I kishim thënë mbretit: «Dora e Perëndisë tonë i mbron të gjithë ata që e kërkojnë, ndërsa zemërimi i tij i furishëm bie mbi të gjithë ata që e braktisin». 23 Kështu, agjëruam e iu lutëm Perëndisë tonë për këtë dhe ai na e dëgjoi lutjen.

Mbërritja në Jerusalem

24 Atëherë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve, bashkë me Sherebiahun, Hashabiahun dhe dhjetë vëllezërit e tyre. 25 U peshova argjendin, arin dhe enët e dhuruara për tempullin e Perëndisë prej mbretit, këshilltarëve dhe zyrtarëve të tij, si edhe të gjithë izraelitëve që ndodheshin atje. 26 U dhashë njëzet tonë argjend, tre tonë enë argjendi, tre tonë ar, 27 njëzet kupa ari, me vlerë një mijë darikë, dhe dy enë bronzi të lëmuar tërë shkëlqim, të çmuara si ari. 28 Mandej u thashë: «Ju jeni të shenjtëruar për Zotin, siç janë edhe këto enë. Argjendi dhe ari janë dhuratë për Zotin, Perëndinë e etërve tanë. 29 Ruajini mirë, derisa t’i peshoni para krerëve të priftërinjve, para levitëve e para krerëve të familjeve të Izraelit në Jerusalem, në dhomat e tempullit të Zotit». 30 Priftërinjtë dhe levitët i morën argjendin, arin dhe enët për t’i sjellë në Jerusalem në tempullin e Perëndisë tonë.

31 Në ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahavë për në Jerusalem. Dora e Perëndisë tonë qe me ne dhe na mbrojti gjatë udhëtimit nga dora e armikut dhe e kundërshtarit. 32 Arritëm në Jerusalem dhe atje pushuam tri ditë. 33 Ditën e katërt, Meremoti, biri i priftit Urjah, bashkë me Eleazarin, birin e Finehasit, dhe me levitët, Jozabadin, birin e Jozuehut, dhe Noadjahun, birin e Binuit, peshuan argjendin, arin dhe enët në tempullin e Perëndisë tonë. 34 Gjithçka u numërua e u peshua dhe pesha u mbajt shënim. Asokohe, 35 të kthyerit prej robërisë kushtuan fli shkrumbimi për Perëndinë e Izraelit, dymbëdhjetë dema për mbarë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si fli mëkati. Të gjitha këto fli shkrumbimi iu kushtuan Zotit36 Urdhëresat e mbretit iu dhanë satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës përtej lumit dhe ata mbështetën popullin dhe tempullin e Perëndisë.